Ballina Kulturë Doli nga shtypi libri “Dëshmitë e një dekade” – kujtesë e gjallë...

Doli nga shtypi libri “Dëshmitë e një dekade” – kujtesë e gjallë për historinë e Luginës

SHPËRNDAJE

Këto ditë doli nga shtypi libri i ri monografik i profesor Nexhat Agushit, me titullin domethënës “Dëshmitë e një dekade”. Ky është një ditar kujtimesh që përfshin periudhën vendimtare 1989-1999, vite të ngarkuara me sfida, sakrifica dhe vendime historike për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe më gjerë.

Falënderojmë autorin për përkushtimin e tij të pashoq në sjelljen e kësaj vepre tek lexuesi dhe për angazhimin e palodhur në ruajtjen e kujtesës sonë historike. Ky libër është një homazh për ata që qëndruan, luftuan dhe sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin e tyre.

“Dëshmitë e një dekade” nuk është thjesht një grumbull faktesh të thata, por një rrëfim i gjallë, i mbështetur mbi kujtimet personale të autorit, analizat e tij dhe dëshmitë e atyre që e jetuan atë kohë. Ai na udhëheq nëpër vitet e represionit të egër të regjimit serb, duke ndriçuar rolin e lëvizjeve politike, përpjekjet humanitare dhe organizimin kombëtar, që kulmuan me luftën për liri.

Me një stil të thjeshtë, por të mbushur me detaje e emocione, profesori Agushi sjell një panoramë të qartë të atyre viteve të errëta, duke dhënë një kontribut të çmuar për dokumentimin e së kaluarës sonë kombëtare. Pavarësisht vështirësive që çdo hulumtim historik has – mungesës së dokumenteve të plota apo kufizimeve të kujtesës njerëzore – ky libër mbetet një gur themeli për ata që duan ta kuptojnë më thellë historinë e Luginës së Preshevës dhe zhvillimet në Ballkanin e fund-shekullit XX./Jetapress/