Ballina Aktuale REISU-L-ULEMA HAXHI NEXHEMDIN EF. SAQIPI, URON FILLIMIN E VITIT TË RI SHKOLLOR

REISU-L-ULEMA HAXHI NEXHEMDIN EF. SAQIPI, URON FILLIMIN E VITIT TË RI SHKOLLOR

SHPËRNDAJE

Të nderuar nxënës, prindër, edukatorë e institucione shkollore, sot, më 1 Shtator, hapet një kapitull i ri për gjeneratat tona – dita kur fillon rrugëtimi i betejës së diturisë, një udhëtim që i jep kuptim, dritë dhe shpresë të ardhmes së shoqërisë sonë.

Me këtë rast, uroj me gjithë zemër:

Nxënësit tanë, të cilët sot nisin një vit të ri plot sfida, suksese dhe mundësi. Ju jeni energjia e së nesërmes, dhe çdo fjalë e mësuar, çdo faqe e lexuar dhe çdo detyrë e kryer me përkushtim është një hap drejt formimit tuaj si qytetarë të dijes dhe të vlerave. Një përgëzim i veçantë për ata vogëlushë që sot për herë të parë prekin emocionin e bankës shkollore – rruga juaj sapo nis, por është rruga më e bukur e jetës.

Mësimdhënësit tanë – mësues, arsimtarë dhe profesorë – të cilët, me sakrificë dhe dashuri, janë dritë që ndriçon mendjet e reja. Ju jeni heronjtë e heshtur të kësaj beteje, sepse dita juaj matet jo me orë, por me sukseset e nxënësve tuaj.

Prindërit tanë, të cilët me përkushtim, dashuri dhe sakrifica të panumërta, janë themeli mbi të cilin ngrihet e ardhmja e fëmijëve. Ju jeni shtylla që i mbështet në çdo hap të kësaj rruge dhe forca që i jep krahë ëndrrave të tyre.

Ky vit shkollor është një thirrje për të gjithë ne – që nxënësit të përpiqen me përkushtim, mësuesit të vazhdojnë të jenë shembull i diturisë dhe i virtytit, ndërsa prindërit të jenë mbështetje e palëkundur.

Le të jetë ky vit një betejë e bukur për dituri të reja, për edukim me moral e virtyte të larta, dhe për një të ardhme ku dija është armë dhe dritë.

Urime vitin e ri shkollor – me besim, punë e suksese!, njofton Jetapress