Ballina Aktuale Ministri Demo Berisha: Dialogu me KKSH-në është domosdoshmëri, jo spektakël politik!

Ministri Demo Berisha: Dialogu me KKSH-në është domosdoshmëri, jo spektakël politik!

SHPËRNDAJE

Ministri për të Drejtat e Njeriut, Pakicat dhe Dialogun Shoqëror, z. Demo Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkel Rexhepi, duke theksuar se refuzimi i dialogut nuk u shërben shqiptarëve në Serbi.

“Takimet nuk janë spektakël politik, por mjet i domosdoshëm i dialogut. Refuzimi i tyre vetëm sa i izolon shqiptarët dhe i privon nga mundësia për të adresuar drejtpërdrejt problemet e tyre. Ministria që unë drejtoj ka ofruar vazhdimisht bashkëpunim institucional me KKSH-në, me synim të qartë: rezultate konkrete dhe politika afatgjata,” theksoi Berisha.

Sa i përket fondeve për fermerët shqiptarë, ministri hodhi poshtë pretendimet se janë bllokuar nga ana e tij.
“Nuk është e vërtetë që Ministria ka bllokuar fondet. KKSH është i vetëdijshëm se këto fonde nuk përkojnë me fushat që mbulon ai, as me Ligjin për funksionimin e tij dhe as me mënyrën e shpalljes së konkursit, e cila ka qenë në kundërshtim të plotë me procedurat ligjore. Nuk është hera e parë që KKSH ka përfituar fonde nga Kosova, të cilat i ka shfrytëzuar pa problem, pasi kanë qenë në përputhshmëri me ligjet e Serbisë. Ne po punojmë me institucionet përkatëse për ta zgjidhur këtë çështje në një afat të shkurtër, por pa dialog konstruktiv kjo nuk mund të arrihet,” tha Berisha.

Duke folur për Planin e Integrimit të Shqiptarëve në Institucionet Publike (2023–2026), ai theksoi se ky dokument është miratuar me konsensus qeveritar dhe tashmë është në proces zbatimi.
“Janë ndërmarrë hapa konkretë, si krijimi i grupeve punuese, hartimi i kuotave dhe diskutimi me institucionet punësuese. Procesi nuk është i lehtë, por është në rrugën e duhur. Kontributi i KKSH-së në këtë drejtim është i domosdoshëm për të arritur rezultate më efektive,” shtoi ministri.

Ai gjithashtu u shpreh se është kontradiktore që KKSH pranon mbështetje financiare nga Ministria për funksionimin e saj, ndërkohë që refuzon takimet dhe bashkëpunimin.
“Ky qëndrim nuk dëmton as ministrin Demo Berisha, as një individ të vetëm, por vetë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të cilët presin përfaqësim dhe rezultate,” theksoi ai.

Në fund, ministri ritheksoi respektin për rolin e KKSH-së si institucion përfaqësues, por kujtoi se respekti reciprok dhe dialogu janë themeli i çdo procesi serioz.
“E ftoj edhe njëherë z. Rexhepi të rikthehet në tavolinën e dialogut. Shqiptarët në Serbi presin zgjidhje, jo përplasje publike. Dialogu është e vetmja rrugë drejt rezultateve konkrete,” përfundoi reagimin e tij ministri Demo Berisha, trasmeton Jetapress.