Ballina Aktuale KANADAJA, AUSTRALIA DHE BRITANIA E NJOHIN SHTETIN PALESTINEZ, IZRAELI REAGON ASHPËR

KANADAJA, AUSTRALIA DHE BRITANIA E NJOHIN SHTETIN PALESTINEZ, IZRAELI REAGON ASHPËR

SHPËRNDAJE

Kanadaja, Australia dhe Mbretëria e Bashkuar shpallën të dielën njohjen e shtetit të pavarur të Palestinës, një lëvizje që i vë ato në përplasje të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara dhe e thellon izolimin e Izraelit në arenën ndërkombëtare, përcjell KDP.

Të tre vendet – aleatë të ngushtë të Izraelit për dekada – thanë se vendimi ishte i motivuar nga zhgënjimi për bllokimin e procesit të paqes dhe mungesën e perspektivës për një zgjidhje me dy shtete.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se njohja është “përpjekje për të mbajtur të gjallë dritën e paqes” dhe nënvizoi se “Hamas nuk ka të ardhme në Palestinë”. Ai paralajmëroi gjithashtu sanksione shtesë ndaj drejtuesve të Hamasit në javët e ardhshme.

Kryeministri kanadez Mark Carney tha se shanset për një marrëveshje të negociuar “janë gërryer seriozisht” për shkak të “kërcënimit të përhershëm nga Hamasi, zgjerimit të shpejtë të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe katastrofës humanitare në Gaza”. Ai shtoi se Kanadaja do ta mbështesë Autoritetin Palestinez, por se Hamasi duhet të çarmatoset plotësisht dhe të mos ketë rol në qeverisjen e ardhshme.

Kryeministri australian Anthony Albanese dhe ministrja e jashtme Penny Wong në një deklaratë të përbashkët thanë se njohja pasqyron “angazhimin e hershëm të Australisë për një zgjidhje me dy shtete, që është rruga drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme”.

Izraeli me kundërshtime të ashpra

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e dënoi ashpër vendimin, duke deklaruar se “nuk do të ketë shtet palestinez”. “Ata që e njohin Palestinën, menjëherë pas masakrës së 7 tetorit, i japin një shpërblim të madh terrorizmit”, tha ai.

Ministri i Jashtëm Gideon Saar e quajti lëvizjen “provokuese dhe imorale”, ndërsa kryetari i Knesetit Amir Ohana akuzoi Starmerin si “një pajtues modern që zgjodhi turpin”. Ministri i sigurisë kombëtare Itamar Ben Gvir tha se njohja është “shpërblim për vrasësit” dhe bëri thirrje për zgjerimin e menjëhershëm të sovranitetit izraelit mbi Bregun Perëndimor.

Reagime palestineze

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, e përshëndeti vendimin e Britanisë, duke e quajtur atë “një hap të rëndësishëm dhe të domosdoshëm drejt paqes së drejtë dhe të qëndrueshme”. Ai përsëriti se prioritet mbetet armëpushimi në Gaza, hyrja e ndihmave humanitare dhe tërheqja e plotë e Izraelit.

Një funksionar i lartë i Hamasit, Basem Naim, e quajti vendimin “hap pozitiv”, por theksoi se ai duhet të pasohet me masa konkrete në terren për të penguar, siç tha ai, “planin sionist për të mohuar çdo të ardhme politike palestineze”.

Franca ka paralajmëruar se do ta njohë shtetin palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme, ndërsa Gjermania dhe Italia kanë bërë të ditur se nuk kanë ndërmend të ndërmarrin një hap të tillë së shpejti.

Me vendimin e sotëm, Britania, Kanadaja dhe Australia iu bashkuan mbi 140 vendeve që deri më tani e kanë njohur Palestinën si shtet. Ky zhvillim vjen në kohën kur luftimet në Gaza janë intensifikuar dhe, sipas Ministrisë së Shëndetësisë palestineze, mbi 65.000 njerëz janë vrarë që nga tetori i vitit 2023.