Ballina Aktuale Kryetari Pajaziti kërkon trajtim të barabartë për shqiptarët dhe zgjidhje konkrete të...

Kryetari Pajaziti kërkon trajtim të barabartë për shqiptarët dhe zgjidhje konkrete të kërkesave

SHPËRNDAJE

Sot, në ambientet e Fakultetit Ekonomik të Suboticës – dega në Bujanoc, u zhvillua një takim i përbashkët me pjesëmarrjen e Ministrit për të Drejtat e Njeriut, të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, z. Demo Berisha, drejtuesve të Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë Aleksandër Martinoviq dhe Nenad Mitroviq me bashkëpunëtorë, si dhe përfaqësuesve nga shoqëria civile.

Ministri Berisha u njoh me një dokument me 10 pika, të cilat u paraqitën si elemente thelbësore për ndërtimin e mirëbesimit mes institucioneve lokale dhe organeve shtetërore. Palët u pajtuan se dialogu mbetet mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve, përfshirë edhe dialogun shoqëror si mekanizëm për forcimin e bashkëjetesës dhe besimit reciprok.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, në fjalën e tij theksoi se është e papranueshme që kërkesat e shqiptarëve të shtyhen pa afat dhe të mos marrin zgjidhje konkrete. Ai nënvizoi se ndërrimi i pushteteve në Beograd nuk duhet të përdoret si justifikim që çështjet e shqiptarëve të trajtohen gjithmonë nga e para.

“Shpreha vullnetin tonë të qartë të sendërtuar në praktikë, përmes ndërtimit të një qeverisjeje të përbashkët dhe bashkëpunuese me partnerët lokalë nga komuniteti serb. Është koha e fundit që ky hap të reflektojë pozitivisht edhe në procesin e inkuadrimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, sepse në të kundërtën humbës do të jemi të gjithë. Shqiptarët duhet të trajtohen vetëm si të barabartë, ashtu siç e garantojnë ligjet, Kushtetuta dhe të gjitha konventat ndërkombëtare në fuqi,” tha Pajaziti.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt avancimit të dialogut institucional dhe shoqëror në Bujanoc, me pritshmëri që të sjellë rezultate konkrete në të ardhmen e afërt, njofton Jetapress.