Ballina Aktuale VETËVENDOSJA DHE KRIZA E LIDERSHIPIT POLITIK NË KOSOVË

VETËVENDOSJA DHE KRIZA E LIDERSHIPIT POLITIK NË KOSOVË

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Kosova po përballet me një krizë serioze të lidershipit politik, ku shumica nuk po di si të qeverisë, e opozita nuk po di si të reagojë. Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje, në vend që të ndërtojë ura bashkëpunimi, po thellon përçarjen dhe po e mbyll horizontin e vet politik. Ajo nuk ofron asnjë alternativë reale për bashkëpunim dhe asnjë hap drejt ndërtimit të besimit në një qeverisje të përbashkët. Edhe pse është shumicë, kjo parti nuk shfaq fleksibilitet, konstruktivitet apo objektivitet politik. Përkundrazi, sillet në një rreth të ngushtë, pa kapacitet për ta zgjeruar horizontin e vetëdijes politike e kombëtare — që është kusht themelor për të drejtuar një parti dhe një shtet.

Qasja e gabuar

Mungesa e frymës demokratike brenda partisë Vetëvendosje, që dikur u identifikua me ndryshimin, sot e ka dëshmuar kufizimin e saj të brendshëm. Në këtë parti mungon liria e mendimit dhe askush nuk guxon të shprehë ide ndryshe. Tërë energjia e saj është përqendruar në vet-imazh – në paraqitjen si më të mençur, më të aftë, më vizionarë dhe më të pastër se të tjerët. Në fakt, më shumë përpiqen të nënçmojnë, të mposhtin dhe të asgjësojnë çdo ide që nuk u përket atyre, edhe kur ajo është në interes të vendit. Për ta, nëse një ide nuk del nga udhëheqësi i tyre, atëherë ajo nuk është në interes të Kosovës apo të kombit shqiptar.

Politika populliste

Në zgjedhjet e fundit, Vetëvendosje hyri me logjikën e fitoreve absolute – “ose 51% ose asgjë”. Ata e konsideruan procesin si një referendum për veten, jo si garë demokratike për shërbim ndaj qytetarëve. Kjo qasje, për mua, ishte një vetëvrasje politike. Sfidojnë të gjithë aktorët që kanë ndërtuar historinë politike të Kosovës për dekada, gjë që është jashtë çdo logjike politike dhe etike. Vetëvendosje e ka keqkuptuar suksesin që e arriti përmes politikës populliste, duke besuar se emocioni mund të zëvendësojë arsyen. Në fushatë, bënë humor, skeçe dhe tallje, në vend se të paraqesin vizion të qartë për shtetin. Por realiteti është i thjeshtë: populli i Kosovës nuk është më ai i para 20 viteve. Sot, qytetarët kanë vetëdije më të lartë, janë më kritikë dhe nuk mashtrohen aq lehtë.

Koha e reflektimit

Pas zgjedhjeve, kam shfaqur publikisht opinionin tim se Albin Kurti duhet të tërhiqet për një kohë nga skena politike, për të reflektuar dhe për t’i dhënë vendit frymëmarrje. Sepse shqiptarët nuk e pranojnë nënçmimin dhe talljen, sidomos ata që kanë luftuar, sakrifikuar e humbur familjarë për liri. Është ende herët për të luajtur me ndjenjat e një gjenerate që ende i ka plagët të hapura.

Iluzionet e humbura

Edhe pas humbjes, Vetëvendosje po përpiqet të shpallë fitore të plotë, duke pretenduar formimin e qeverisë pa numrat e nevojshëm. Në opinion publik, paraqitet si viktimë – kinse partitë e tjera po e pengojnë. Por realiteti është tjetër: ata vetë janë shkaktarët e bllokadës politike. Nëse fton opozitën për bashkëpunim, duhet të jesh i gatshëm të ndash pushtetin dhe përgjegjësinë, sepse kështu funksionon pluralizmi demokratik pas rënies së sistemit njëpartiak. Në demokraci, me forcë nuk mund të jesh as i pari, as më i miri. Në garë, kush humb – e pranon humbjen. Sot, të gjithë dinë të luajnë politikë, dhe ata që mendojnë se populli është i verbër, kanë përfunduar në koshin e historisë.

Lidhja me Luginën…

Dikush mund të shtroj pyetje: pse unë, që jetoj në Serbi, merrem me politikën e Kosovës? Përgjigjja është e qartë: sepse shqiptarët e Luginës po presin prej 40 vitesh një zgjidhje politike. Zvarritja e proceseve në Kosovë na kushton të gjithëve, sepse ndikon drejtpërdrejt në fatin dhe statusin politik të shqiptarëve në rajon. Proceset politike duhet të zhvillohen normalisht, në përputhje me standardet ndërkombëtare, jo sipas humorit të liderëve të ditës.