Ballina Aktuale Besimi ecën me kohën: sa përparon vetëdija, aq ngrihet Islami

Besimi ecën me kohën: sa përparon vetëdija, aq ngrihet Islami

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Zoti e ka nderuar popullin shqiptar me udhëzimin në Islam, sepse ka dashur që kjo fe të ruhet dhe të forcohet përmes një populli të mirë, të qëndrueshëm dhe të pathyeshëm. Historia dëshmon se shqiptarët nuk janë nënshtruar kurrë me dhunë, aq më pak në çështjen e besimit. Një popull që ka parë dritën pas errësirës, nuk kthehet më mbrapa, sado që jobesimtarët ta urrejnë këtë apo të dëshirojnë të kundërtën. Në natyrë, drita gjithmonë ecën përpara.

Shekulli i ri i takon popullit shqiptar në hapësirën botërore. Çdo përpjekje për të na kthyer prapa, për të na zhytur në dekadencë, prapambetje, dogmatizëm e mashtrime, është e destinuar të dështojë. Këto ide janë të ngjashme me propagandat e disa hoxhallarëve të sekteve, që përpiqen t’i kthejnë myslimanët në një imitim të verbër të kohës së Profetit, pa e kuptuar ndryshimin e kohës, vendit dhe realitetit.

Besimi ecën përpara me kohën. Sa më shumë që rritet vetëdija e shoqërisë, aq më lart ngrihet edhe Islami. Kjo fe nuk është përballur me krizën e modernitetit si krishterimi perëndimor, i cili ka pasur sfida të mëdha në përputhjen me epokën moderne. Kjo është esenca e së vërtetës: sa më shumë që përparon bota, Islami fuqizohet, ndërsa ideologjit njerëzore zbehen.

Mjerim i madh është kur në një shoqëri njerëzit e paditur marrin guximin të promovojnë injorancën në emër të fesë. Zoti është i Bukur, i Pastër dhe me pushtet absolut. Prandaj është qesharake kur disa njerëz, të ngurtë në mendime, thërrasin në ndërrim të besimit në emër të nacionalizmit, racizmit apo kulturës. Këta janë pikërisht ata që Ku’rani i quan SUFEHA – njerëz të cekët, pa mendim të pjekur.