Ballina Aktuale 10 DHJETORI – DITA BOTËRORE E TË DREJTAVE TË NJERIUT DHE REALITETI...

10 DHJETORI – DITA BOTËRORE E TË DREJTAVE TË NJERIUT DHE REALITETI I HIDHUR I SHQIPTARËVE NË LUGINËN E PRESHEVËS

SHPËRNDAJE

Editorial

Nga Nexhmdin Saqipi


10 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, është një nga datat më të rëndësishme në kalendarin global, e cila rikujton detyrimin moral, ligjor dhe politik që kanë shtetet për të garantuar dinjitetin njerëzor dhe liritë themelore për të gjithë. Por për shqiptarët autoktonë të Luginës së Preshevës – në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – kjo ditë nuk është festë. Ajo është një rikujtim i përditshëm i padrejtësive shumëvjeçare, një dëshmi e heshtur e shkeljeve sistematike që po vazhdojnë prej dekadash ndaj një komuniteti që me të drejtë konsiderohet ndër më të diskriminuarit në Evropë.

Diskriminimi i heshtur

Në një hapësirë prej rreth 1.100 km² ku jetojnë mbi 80.000 shqiptarë, shkeljet e të drejtave themelore janë bërë pjesë e përditshmërisë. Mungesa e të drejtës për arsim cilësor në gjuhën amtare, ndërprerja e teksteve shkollore dhe ndalimi absurd i abetares shqipe; mosnjohja e diplomave nga Kosova dhe Shqipëria; mungesa e kuadrove profesionale; pamundësia për të hapur maternitetin në Preshevë; pasivizimi masiv i adresave; qasja e kufizuar në institucionet shtetërore; mungesa e programeve në gjuhën shqipe në mediat publike – janë vetëm disa prej formave të qarta të diskriminimit institucional.

Këto shkelje nuk përbëjnë vetëm cenim të standardeve evropiane, por një goditje të drejtpërdrejtë ndaj të drejtave më elementare të një komuniteti që kërkon vetëm barazi dhe dinjitet në vendin e tij.

Projektet e dështuara

Këshilli për të Drejtat e Njeriut, dikur një zë kritik kundër shkeljeve, sot është shndërruar në një mekanizëm formal dhe joefektiv, i cili përgjithësisht merret me raporte, mbajtje të konferencave sporadike ose deklarata të zbehta në 10 Dhjetor. Nga një strukturë që duhej të mbronte qytetarët, është kthyer në repart të interesave partiake – fillimisht i Partisë për Veprim Demokratik, e më vonë i Këshillit Kombëtar Shqiptar – duke humbur qëllimin e vet themelor: mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në vitin 2002, me ndihmën e OSBE-së, në Luginë nisën tri projekte kapitale: riorganizimi i mediave, policia multietnike dhe ndërtimi i pushtetit multietnik.

Por këto nisma ngelën në gjysmë të rrugës. Media në gjuhën shqipe sot është e dobët dhe e pambështetur; policia multietnike nuk ka avancuar sipas pritjeve; ndërsa institucionet lokale funksionojnë të ndara, të politizuara dhe larg frymës së bashkëjetesës që kërkon një shoqëri moderne. Në vend të progresit, Lugina e Preshevës u shndërrua në një shembull të qartë të dështimit institucional dhe të përkeqësimit të të drejtave të njeriut.

Të drejtat e njeriut – detyrim ndërkombëtar

Mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk është çështje politike, por standard ndërkombëtar. Serbia nuk mund të synojë hapjen e kapitujve të rinj në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, ndërsa në të njëjtën kohë mohon të drejtat më elementare të qytetarëve të saj shqiptarë.

As Evropa nuk mund të mbajë qëndrim të heshtur, përballë një realiteti ku diskriminimi po shndërrohet në politikë të qëndrueshme dhe ku pasivizimi i adresave dhe zbrazja demografike po bëhen mjete të reja të presionit institucional.

Lugina e Preshevës meriton një të ardhme me dinjitet

Pa një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme, ky realitet do të mbetet një nga dështimet më të mëdha të Evropës moderne. Shqiptarët e Luginës meritojnë dinjitet, barazi dhe jetesë të sigurt në vendlindjen e tyre – as më shumë, as më pak.