Ballina Aktuale “Urime” për fitoren e liderit që bën gjithçka për votë dhe, natyrisht,...

“Urime” për fitoren e liderit që bën gjithçka për votë dhe, natyrisht, për të qëndruar në pushtet

SHPËRNDAJE

Nga Baki Shala

Pak kush do ta mendonte se në Ballkan ende ka liderë që thyejnë çdo rregull, shfaqen në xhami e kisha, kudo ku ka kamera e votë, vetëm që pushteti të mos u rrëshqasë nga duart. Afera, shkelje ligji, premtime të pambajtura. Lista është e gjatë, por pushteti i mbulon të gjitha.

Megjithatë, problemi nuk është vetëm lideri i etur për pushtet. Problemi i madh është te opozita.

Një opozitë e lodhur, tepër e qetë, tepër korrekte. Sikur të ishte në ndonjë vend skandinav, duke pritur që populli vet ta kuptojë bllokimin e shtetit dhe ta ndëshkojë me votë. Duke harruar se jetojmë në Ballkan, aty ku lideri shndërrohet shpejt në kult dhe pushteti mbrohet me çdo mjet. Historia jonë e dëshmon boll. Lirimi nuk mund t’ua sjellë fitoren.

Opozita harroi se si erdhi Kurti në pushtet. Me përplasje, me presion, me dhumë të egër politike. Dhe ishte naive të besohej se ai në pushtet do të sillej më pas sipas rregullave të librave të demokracisë. Dhe ja ku jemi.

Sot shteti është i bllokuar, shoqëria e përçarë dhe faji hidhet gjithmonë diku tjetër. Te ndërkombëtarët, te opozita, te mediat, te “armiqtë imagjinarë”. Kurrë te vetja.

Shpresa e vetme mbetet që shtetet mike ta kuptojnë seriozitetin e situatës dhe t’i bëjnë të qartë politikës kosovare se kështu nuk shkohet përpara. Se izolimi, konfliktet e brendshme dhe arroganca politike nuk ndërtojnë shtet.

Megjithatë, shpresa ime personale është tjetërkund. Që Kurti, tashmë i njohur për kthesat e shpejta, ta ndryshojë qasjen edhe një herë. Të lërë mënjanë frymën përçarëse, gjuhën e konfliktit dhe logjikën “ne kundër të gjithëve”.

Kosova nuk ka nevojë për fitore personale.
Ka nevojë për stabilitet, dialog të brendshëm, respekt institucional dhe zhvillim real.

Populli i Kosovës nuk i ka borxh askujt adhurim politik. I ka borxh vetes një të ardhme më të mirë, pa përqarje dhe me perspektivë.

Megjithatë, derisa Drenica nuk shitet e nuk blihet , për Kosovën ka ende shpresë!