Ballina Aktuale MIDIS DY KUFIJVE: KUR RRUGËT MBYLLEN DHE HESHTJA BËHET PENGESË

MIDIS DY KUFIJVE: KUR RRUGËT MBYLLEN DHE HESHTJA BËHET PENGESË

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të përballen me një realitet të rënduar, ku sfidat nuk vijnë më vetëm nga njëra anë. Pas procesit të njohur të pasivizimit të adresave nga Beogradi, që ka lënë mijëra qytetarë në një gjendje pasigurie juridike dhe sociale, tani po shtohet edhe një dimension tjetër i izolimit – bllokimi i rrugëve dytësore në kufirin me Kosovën, kësaj radhe, Mjerisht, nga Prishtin. Kjo situatë krijon ndjesinë e një paralizimi të dyfishtë, ku qytetarët mbeten të bllokuar mes dy realiteteve politike dhe institucionale.

Në këtë kontekst, pyetja që lind natyrshëm është: kush mban përgjegjësi për këtë gjendje? Ndërsa kritikat ndaj politikave qendrore në Beograd janë të vazhdueshme dhe shpesh të justifikuara, një heshtje shqetësuese vërehet në nivel lokal. Dy komunat kryesore, Presheva dhe Bujanoci, të udhëhequra nga përfaqësues shqiptarë, si dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar, nuk kanë ofruar deri më tani një përgjigje konkrete dhe funksionale për të zbutur këtë krizë të përditshme të qytetarëve.

Heshtja që vret

Banorët e zonave kufitare dhe rurale, si Dobrosini, fshatrat e Malësisë së Bujanocit – Zarbica, Muhoci dhe Breznica – si dhe trevat e Karadakut të Preshevës e Medvegjës, po përballen me një izolim të thellë. Tani së fundi bllokimi i rrugëve në kufi me Kosovën nga Prishtina zyrtare edhe më shumë e ka shtuar shqetësimin e shqiptarëve të këtyre komunave, e sidomos të zonave kufitare, të cilët për t’i ik tollovive në punktin e Konçulit, kanë lëvizur në rrugët dytësore, që për Serbinë janë ilegale. Dikur të lidhura përmes rrugëve anësore, sot këto zona janë pothuajse të shkëputura nga qendrat urbane: Preshevë-Bujanoc-Gjilan.

Kështu lind një dilemë e thellë: nëse adresat po “fshihen” nga sistemi administrativ, kush po i bllokon lidhjet rrugore mes njerëzve? Izolimi fizik përmes mungesës së liberalizimit të kufijve, po shndërrohet në një formë të re të përjashtimit social, duke dëmtuar kohezionin dhe zhvillimin e komuniteteve këndej e matanë kufijve.

Zgjidhja kërkon domosdoshmëri

Megjithatë, zgjidhja nuk kërkon domosdoshmërisht projekte të mëdha apo investime të papërballueshme. Një hap i vogël, por me ndikim të madh, do të ishte rikthimi i të paktën krijimin e lëvizjeve të lira të njerëzve dhe automjeteve, nisma këto që nuk kanë munguar në të kaluarën përmes projekteve ndërkombëtare të Mini rajoneve dhe Makro – rajoneve, duke përfshirë komunat  e trekëndëshit: Bujanoc, Gjilan, Kumanovë. Një iniciativë e tillë do të ishte dëshmi konkrete e përgjegjësisë institucionale dhe e përkushtimit ndaj qytetarëve.

Në thelb, lëvizja e drejtë nuk është luks – është një e drejtë themelore që garanton lëvizjen, dinjitetin dhe mundësinë për jetë aktive. Pa të, çdo premtim për zhvillim mbetet thjesht retorikë.

Koha për reflektim ka kaluar. Tani është momenti për veprim. Sepse lidhjet mes njerëzve nuk maten vetëm me kilometra rruge, por me vullnetin për të mos lejuar që një komunitet të mbetet i izoluar në heshtje.