Ballina Aktuale REAGIM NGA BESNIK AVDIU, KRYETARË I LMT-së TË TËRNOCIT, NË ZVICËR

REAGIM NGA BESNIK AVDIU, KRYETARË I LMT-së TË TËRNOCIT, NË ZVICËR

SHPËRNDAJE

Me keqardhje të madhe konstatojmë se aktiviteti i sotëm, i cili u prezantua si një nismë për bashkimin dhe koordinimin e shoqatave të Luginës në Zvicër, në realitet rezultoi të jetë një organizim me prapavijë të qartë politike dhe me qasje përjashtuese.

Që në fillim kemi besuar se qëllimi i këtij organizimi ishte afrimi i të gjitha shoqatave, forcimi i bashkëpunimit dhe krijimi i një zëri të përbashkët të diasporës sonë. Mirëpo, mënyra selektive e ftesave dhe përjashtimi i përfaqësuesve institucionalë të Luginës sipas preferencave politike dëshmoi të kundërtën.

Secili prej nesh ka bindjet dhe preferencat e veta politike, si në Luginë ashtu edhe në rajon. Kjo është normale dhe legjitime në një shoqëri demokratike. Por kur bëhet fjalë për diasporën, për interesin kombëtar dhe për çështjet që na bashkojnë si komunitet, kemi ditur gjithmonë të qëndrojmë mbi dallimet politike dhe të veprojmë së bashku.

Prandaj është e papranueshme që në emër të bashkimit të ndërtohen ndarje të reja. Është e papranueshme që një aktivitet që pretendon të përfaqësojë gjithë Luginën të shndërrohet në një platformë të interesave të ngushta politike. Akoma më e papranueshme është përpjekja për t’i dhënë legjitimitet një qasjeje diskriminuese dhe përçarëse.

Ne nuk do të lejojmë që diaspora e Luginës të keqpërdoret për agjenda të tilla. Nuk do të lejojmë që mundi dhe sakrifica shumëvjeçare e bashkatdhetarëve tanë të përdoret për interesa personale apo grupore.

Kërkojmë nga organizatorët që t’u japin shpjegim të qartë bashkatdhetarëve për këtë qasje përjashtuese dhe të marrin përgjegjësinë e plotë për dëmin që i është shkaktuar frymës së unitetit dhe bashkëpunimit.

Lugina nuk ka nevojë për maskarada politike të kamufluara si aktivitete bashkuese. Lugina ka nevojë për sinqeritet, respekt, transparencë dhe përfaqësim të barabartë të të gjithëve.

Besnik Avdiu
Kryetari i Lmt Tërnoc