Ballina Aktuale DEMOKRACIA RRUGORE – RRUGË E SHKURTËR DREJT KAOSIT, JO DREJT DEMOKRACISË

DEMOKRACIA RRUGORE – RRUGË E SHKURTËR DREJT KAOSIT, JO DREJT DEMOKRACISË

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Demokracia nuk ndërtohet në rrugë, por në institucione. Kjo është një nga parimet themelore mbi të cilat mbështeten shtetet demokratike. Protesta është një e drejtë legjitime e qytetarëve, por nuk mund të shndërrohet në mekanizëm për marrjen e pushtetit me presion, kërcënim apo dhunë.

Unë kurrë nuk mund ta pranoj logjikën se problemet e një shoqërie zgjidhen duke bllokuar rrugët, duke sulmuar institucionet apo duke imponuar vullnetin e një grupi mbi shumicën. Një qasje e tillë zakonisht ushqehet nga demagogë, aventurierë politikë dhe individë që pushtetin nuk e shohin si përgjegjësi ndaj qytetarëve, por si një plaçkë që duhet marrë me çdo kusht.

Kur protesta humbet misionin qytetar

Historia ka dëshmuar se jo rrallë protestat masive drejtohen nga interesa që nuk shihen në sipërfaqe. Pas tyre mund të fshihen grupe të organizuara, financime të ndryshme dhe kalkulime politike që kanë pak lidhje me hallet e vërteta të qytetarëve.

Qytetari del në rrugë me bindjen se po kontribuon për një ndryshim të drejtë, por shpeshherë, pasi tymi i përplasjes shpërndahet, ai mbetet me zhgënjimin dhe pasojat, ndërsa përfituesit e vërtetë janë ata që arrijnë të kapin pushtetin.

Në një demokraci funksionale, protesta duhet të jetë paqësore, e arsyeshme dhe e orientuar drejt kërkesave konkrete. Ajo nuk duhet të rrezikojë institucionet, rendin publik, pronën e qytetarëve apo stabilitetin e shtetit.

Aty ku fillon dhuna, përfundon demokracia

Dhuna nuk ka qenë kurrë instrument i demokracisë. Ajo është shenjë e dështimit të dialogut dhe e mungesës së besimit në institucionet. Aty ku hyn dhuna, largohet demokracia. Aty ku mbizotëron urrejtja, humbet arsyeja.

Prandaj protestat që degradojnë në fyerje, përplasje fizike, vandalizëm apo tentativa për të imponuar pushtetin me forcë nuk mund të konsiderohen më veprim demokratik. Ato shndërrohen në rrugë drejt kaosit, pasojat e të cilit i paguajnë gjithmonë qytetarët.

Një mesazh që mbetet aktual edhe sot

Në kohën e demonstratave politike të shqiptarëve në Maqedoni, deputeti nga Tërnoci, Ismet Ramadani, pati thënë një fjali që mbetet aktuale edhe sot: “Më mirë zhurmaxhi në Parlament se sa brohoritës në Bit Pazar.”

Kjo nuk ishte një thirrje kundër protestës si e drejtë qytetare, por një mesazh se betejat politike duhet të zhvillohen aty ku merren vendimet – në Parlament dhe në institucione – e jo në rrugë, ku emocionet shpesh zëvendësojnë arsyen. Edhe sot, kur në shumë vende shohim përpjekje për ta fituar ose imponuar pushtetin përmes presionit të rrugës, ky mesazh tingëllon po aq domethënës: demokracia nuk forcohet duke anashkaluar institucionet, por duke i respektuar ato.

Vota mbetet arbitri i vetëm i demokracisë

Në çdo shtet demokratik ekziston vetëm një rrugë legjitime për ndryshimin e pushtetit: vota e lirë e qytetarëve.

Parlamenti është vendi ku përballen argumentet, ndërsa zgjedhjet janë mekanizmi përmes të cilit qytetarët shpërblejnë ose ndëshkojnë qeveritë. Kush beson se gëzon mbështetjen e shumicës duhet ta dëshmojë këtë me programe, ide dhe besimin e qytetarëve, jo me ultimatume apo presion rrugësh.

Çdo alternativë tjetër cenon themelet e shtetit ligjor dhe krijon precedentë të rrezikshëm për të ardhmen.

Mos i përdorni të rinjtë si karburant politik

Veçanërisht shqetësues është fakti se të rinjtë dhe studentët shpesh bëhen instrumenti më i lehtë në përplasjet politike. Ata mobilizohen në emër të idealeve të mëdha, ndërsa pas përfundimit të krizës politike mbeten vetëm me pasojat në arsim, në karrierë dhe në jetën e tyre.

Politikanët ndërrohen, qeveritë ndryshojnë, por vitet e humbura të rinisë nuk kthehen më.

Prandaj energjia e shoqërisë duhet të orientohet drejt dijes, arsimit, emancipimit dhe vetëdijesimit qytetar. Një qytetar i arsimuar është shumë më i vështirë për t’u manipuluar dhe shumë më i aftë për të mbrojtur interesin publik.

Mesazh për lexuesit

Demokracia nuk është zhurma e turmës, por fuqia e ligjit. Nuk është triumfi i rrugës mbi institucionet, por respekti për rregullat që garantojnë lirinë e secilit.

Le ta mbrojmë të drejtën për të protestuar, por po aq fort ta mbrojmë edhe rendin kushtetues, dialogun dhe institucionet. Sepse pushtetet janë kalimtare, ndërsa shteti është i përbashkët.

Vetëm një shoqëri që beson te vota, te arsyeja dhe te institucionet mund të ndërtojë një demokraci të qëndrueshme. Demokracia rrugore mund të sjellë duartrokitje të çastit, por demokracia institucionale ndërton të ardhmen e një kombi.