Ballina Aktuale MINISTRI BERISHA: HAPJA E NJË MEDIUMI NË GJUHËN SHQIPE NË LUGINË TË...

MINISTRI BERISHA: HAPJA E NJË MEDIUMI NË GJUHËN SHQIPE NË LUGINË TË PRESH

SHPËRNDAJE

Pas vizitës në Radio Televizionin e Vojvodinës, ku ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, theksoi rëndësinë e mediave në gjuhët e pakicave, për LajmiAL ai deklaroi se ekzistojnë mundësi reale që edhe komuniteti shqiptar në Serbi të ketë një medium në gjuhën shqipe, i cili do të financohej nga buxheti i shtetit përmes mekanizmave institucionalë dhe në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH).

Sipas ministrit, Ministria që ai drejton është e gatshme të mbështesë jo vetëm themelimin e një mediumi në gjuhën shqipe, por edhe projekte të tjera me interes për pakicën shqiptare në Serbi.

“Hapja e një mediumi në gjuhën shqipe është plotësisht e realizueshme. Pengesa nuk është Ministria, por mungesa e bashkëpunimit institucional.

Mjafton që KKSH të bashkëpunojë me Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe të paraqesë projekte konkrete, jo vetëm për një medium në gjuhën shqipe, por edhe për iniciativa të tjera që janë në interes të komunitetit shqiptar,” deklaroi Berisha.

Ai shtoi se, sipas tij, pasojat e mosbashkëpunimit institucional po i bartin qytetarët shqiptarë.

“Pasojat e mosmarrëveshjeve dhe inateve mes drejtuesve të KKSH-së nuk i bart askush tjetër përveç popullatës shqiptare, e cila shpeshherë as nuk është në dijeni pse nuk ekziston bashkëpunim me ministritë përkatëse të Serbisë. Vetëm përmes dialogut institucional mund të përmirësohen kushtet në shumë fusha që kanë rëndësi për pakicën shqiptare,” u shpreh ministri.

I pyetur nga LajmiAL nëse ai ose Ministria janë pengesë për fondet që vijnë nga Kosova për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Berisha e mohoi një gjë të tillë.

“Asgjë nuk mund të pengohet nëse fondet vijnë në mënyrë të ligjshme dhe përdoren për qëllimin për të cilin janë dedikuar. Asnjë projekt i ligjshëm nuk është penguar deri më tani.

Problemi, sipas meje, është se disa drejtues të KKSH-së dhe ata që i mbështesin nuk mund t’i përdorin këto mjete sipas interesave të tyre politike apo për militantët e tyre, por fondet duhet të shërbejnë për qytetarët dhe për komunitetin shqiptar në tërësi,” deklaroi ai.

Ministri theksoi se KKSH-ja ka kompetenca të përcaktuara qartë me ligj dhe fondet publike duhet të përdoren vetëm për realizimin e tyre.

“Duhet të jemi të qartë. KKSH mund të përfitojë dhe të shpenzojë mjete vetëm në fushat për të cilat është themeluar dhe ka kompetenca ligjore. Nuk mund të kërkohen fonde për një qëllim e më pas të përdoren për projekte që nuk kanë të bëjnë me kompetencat e Këshillit. Institucionet funksionojnë mbi bazën e ligjit dhe të përgjegjësisë,” tha Berisha.

Në fund, ai hodhi poshtë pretendimet se shteti po pengon funksionimin e KKSH-së.

“Nëse shteti do të ishte pengesë për KKSH-në, atëherë si do të financohej funksionimi i saj, pagat e punonjësve, kontributet dhe detyrimet e tjera ligjore? Prandaj, mjaft me dezinformata dhe akuza të pabazuara.

KKSH duhet të funksionojë për interesat e pakicës shqiptare, ashtu siç është themeluar me ligj, dhe jo për interesa të grupeve apo individëve të caktuar,” përfundoi ministri Demo Berisha në deklaratën e tij për LajmiA, transmeton Jetapress.