Ballina Aktuale PASIVIZIMI I ADRESAVE – NIS FUSHATA INFORMUESE NË PRESHEVË, BUJANOC DHE MEDVEGJË

PASIVIZIMI I ADRESAVE – NIS FUSHATA INFORMUESE NË PRESHEVË, BUJANOC DHE MEDVEGJË

SHPËRNDAJE

Bujanoc, 1 gusht – Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupi Koordinues i Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq, zhvilloi sot një takim me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti.

Takimi u organizua me rastin e fillimit të zbatimit të fushatës informuese për procedurën e pasivizimit të adresave, të cilën po e realizon Shërbimi i Trupit Koordinues.

Gjatë bisedës, Nenad Mitroviq e njoftoi kryetarin Arbër Pajaziti me qëllimet dhe aktivitetet e kësaj fushate, e cila zhvillohet në kuadër të Masës 1.2 – “Identifikimi dhe eliminimi i problemeve që lidhen me mekanizmin e verifikimit të statusit të vendbanimit të pjesëtarëve të pakicave kombëtare”, të paraparë në Planin e Veprimit për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare për periudhën 2026–2029.

Qëllimi kryesor i fushatës është t’u sigurojë qytetarëve informacione të sakta, në kohë dhe lehtësisht të qasshme lidhur me të drejtat e tyre dhe procedurat ligjore që kanë të bëjnë me pasivizimin e adresave.

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet qytetarëve, adresat e të cilëve tashmë janë pasivizuar, duke i informuar për procedurën e ri-regjistrimit të vendbanimit dhe rikthimin e adresës në status aktiv. Njëkohësisht, qytetarët me adresa aktive do të njoftohen për rrethanat që, sipas ligjit, mund të çojnë në pasivizimin e adresës, me qëllim që të ndërmarrin me kohë hapat e nevojshëm dhe të shmangin pasojat e mundshme.

Në kuadër të fushatës janë përgatitur broshura informative dygjuhëshe, postera dhe billborde në gjuhën shqipe dhe serbe. Broshura, e hartuar në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme, shpjegon procedurën e pasivizimit të adresës, kushtet në të cilat mund të ndodhë, pasojat e mundshme, mënyrën e ri-regjistrimit të vendbanimit dhe rikthimit të adresës në status aktiv, si dhe mjetet juridike që qytetarët kanë në dispozicion. Posterët do të vendosen në institucionet publike, ndërsa billbordet tashmë janë vendosur në lokacione frekuente në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

“Qëllimi i kësaj fushate nuk është vetëm t’u ofrojmë qytetarëve informacione të sakta dhe në kohë, por edhe të largojmë çdo paqartësi që lidhet me procedurën e pasivizimit të adresave. Dëshirojmë që secili qytetar të jetë i informuar për të drejtat, detyrimet dhe procedurat ligjore, në mënyrë që të mbrojë statusin e vendbanimit të tij. Suksesi i kësaj fushate varet në masë të madhe nga bashkëpunimi i mirë me vetëqeverisjet lokale dhe me Këshillin Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare, pasi vetëm përmes veprimit të përbashkët mund të sigurojmë që informacioni të arrijë tek të gjithë qytetarët që kanë nevojë për të”, deklaroi ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues, Nenad Mitroviq.

Takimi në Bujanoc është i pari në një seri takimesh që Shërbimi i Trupit Koordinues do të zhvillojë me përfaqësues të vetëqeverisjeve lokale dhe institucioneve për koordinimin e aktiviteteve dhe zbatimin e suksesshëm të fushatës informuese.

Në ditët në vijim janë planifikuar takime edhe me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Medvegjës, Dragan Kuliq, si dhe me kryetarin e Këshilli Kombëtar i Pakicës Kombëtare Shqiptare, Enkel Rexhepi.

Shërbimi i Trupit Koordinues pret që, me mbështetjen e vetëqeverisjeve lokale dhe të Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare, kjo fushatë informuese të kontribuojë në rritjen e informimit të qytetarëve dhe në kuptimin më të drejtë të procedurës së pasivizimit të adresave, në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Jetapress/