Ballina Aktuale Një yll nga Tërnoci ndriçon në Londër: Altina Sulejmani diplomon me rezultatet...

Një yll nga Tërnoci ndriçon në Londër: Altina Sulejmani diplomon me rezultatet më të larta

SHPËRNDAJE

Londër / Jeta Press

Një tjetër histori suksesi vjen nga Tërnoci. Altina Sulejmani, e lindur më 17 mars 2004, ka diplomuar me sukses të shkëlqyer në Fakultetin Ekonomik të University of Greenwich në Londër, duke përfunduar studimet brenda afatit të rregullt dhe me notat më të larta.
Ky rezultat është dëshmi e përkushtimit, disiplinës dhe punës së palodhur që ajo ka treguar gjatë gjithë viteve të studimit. Gjatë ceremonisë së diplomimit, Altina u dallua mes studentëve të gjeneratës së saj, duke dëshmuar nivel të lartë akademik dhe profesional.
E lindur në Londër, Altina është vajza e Imranit dhe Nermines (Minkës), me prejardhje nga Tërnoci. Ajo rrjedh nga familja Sulejmani, një familje me traditë, vlera dhe kontribut të njohur si në Tërnoc ashtu edhe në mërgatë, e cila gjithmonë i ka kushtuar rëndësi të veçantë arsimit dhe edukimit.


E emocionuar nga kjo arritje, Altina ndau gëzimin e saj në rrjetet sociale, duke e cilësuar diplomimin si një nga momentet më të rëndësishme të jetës. Ajo theksoi se ky sukses përbën një motivim të madh për të vazhduar studimet dhe për të synuar arritje edhe më të mëdha në të ardhmen.
Me fjalë mirënjohjeje, ajo falënderoi profesorët për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre, si dhe familjen për përkrahjen e pakushtëzuar në çdo hap të rrugëtimit të saj akademik. Sipas saj, ky vlerësim nuk përfaqëson vetëm një sukses personal, por edhe një përgjegjësi për të vazhduar me më shumë punë, disiplinë dhe ambicie.


Arritja e saj është pritur me urime të shumta nga familjarë, miq dhe bashkëvendës, të cilët kanë shprehur krenarinë për suksesin e një të reje shqiptare që po lë gjurmë me rezultatet dhe përkushtimin e saj.
Suksesi i Altina Sulejmanit është një krenari jo vetëm për familjen Sulejmani, por edhe për Tërnocin, Luginën e Preshevës dhe mbarë shqiptarët në mërgatë, duke dëshmuar se dija, puna dhe përkushtimi mbeten çelësi i çdo arritjeje.
Jeta Press i uron Altina Sulejmanit suksese të mëtejshme në rrugëtimin e saj akademik dhe profesional, me bindjen se ajo do të vazhdojë të jetë një shembull frymëzues për brezat e rinj shqiptarë.