Ballina Aktuale Kur paaftësia merr pushtetin: bota në duart e “selakëve në tru”

Kur paaftësia merr pushtetin: bota në duart e “selakëve në tru”

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Përderisa njerëzit më të mirë, më të ndershëm dhe më me vlerë janë marrë me të vërtetën, me shpëtimin e njerëzve, me orientimin e shoqërisë në rrugën e mbarë dhe me forcimin e pozitës së saj, një shtresë tjetër e dobët në karakter, por e fortë në lakmi, ka shfrytëzuar pikërisht këtë përkushtim.

Pa mëshirë, pa turp dhe me dinakëri, kanë grabitur para, pushtet, pozita, ndikim dhe autoritet. Kanë kapur çdo hapësirë ku mund të vendosej një njeri me dije, moral dhe përgjegjësi. Aq shumë e kanë ngushtuar hapësirën e veprimit, saqë njerëzit që vërtet duan ta ndreqin shoqërinë shpesh nuk dinë më ku të hyjnë dhe nga t’ia fillojnë.

I kanë marrë pothuajse të gjitha — me një stil që të kujton kafshët dhe shpendët grabitqarë: kap atë që mundesh, sa mundesh dhe para se të ta marrë dikush tjetër.
Por rezultati tashmë po shihet.

Sot shumë prej tyre kanë mbetur si pata në mjegull, si i verbëri buzë humnerës. Nuk dinë nga t’ia mbajnë, nuk dinë si të dalin nga kriza dhe, më e keqja, nuk pranojnë të ndryshojnë. Qëndrojnë me inat mbi atë që kanë kapur, edhe kur është bërë e qartë se ajo rrugë i ka çuar në qorrsokak.
Nuk dinë, nuk pyesin dhe nuk lejojnë të ndryshojë askush.
Këta janë njerëzit që mund t’i quajmë xhahilë fanatikë: jo vetëm që nuk e pranojnë dijen dhe të vërtetën, por e shohin ndryshimin si kërcënim ndaj vetes. Për ta, ruajtja e pozitës është bërë më e rëndësishme se shpëtimi i shoqërisë.
Por historia ka një ligj të pamëshirshëm: asnjë pushtet i ndërtuar mbi mashtrim nuk zgjat përgjithmonë.

Kjo gjendje mund të ndryshojë vetëm nëse Zoti e dëshiron dhe nëse njerëzit që e duan të mirën nuk dorëzohen. Mirëpo, po e shohim sa e vështirë është të ndryshohet një sistem kur secili mundohet të mbijetojë me trika, lajka, interesa dhe kalkulime personale.

Sot të gjithë dinë diçka. Të gjithë kanë ambicie. Të gjithë kanë ide. Të gjithë janë të ushtruar në lojën e pushtetit. Dhe pikërisht për këtë, askush nuk dorëzohet lehtë.
Shumë prej tyre kanë mësuar edhe nga shkrimet dhe udhëzimet se duhet të qëndrojnë, të mos dorëzohen dhe ta mbajnë pozicionin e tyre.

Por këtu qëndron dallimi i madh:
Të mos dorëzohesh në të vërtetën është virtyt.
Të mos dorëzohesh në gabim është fanatizëm.
Të qëndrosh për drejtësinë është burrëri.
Të kapesh pas pushtetit kundër drejtësisë është dobësi.

Shoqëria nuk ka nevojë për njerëz që dinë vetëm të kapin pushtetin. Ka nevojë për njerëz që dinë çfarë të bëjnë me pushtetin kur e marrin.
Sepse pushteti pa dije bëhet arrogancë,
pushteti pa moral bëhet grabitje,
pushteti pa drejtësi bëhet shtypje,
ndërsa pushteti pa përgjegjësi bëhet katastrofë.

Dhe kur një shoqëri ua dorëzon drejtimin njerëzve që dinë vetëm të marrin, por nuk dinë të ndërtojnë, atëherë kriza nuk është më rastësi.
Kriza bëhet pasojë e zgjedhjes.