Ballina Aktuale ETIKA”: DIALOGU NDËRKULTUROR DHE MBËSHTETJA INSTITUCIONALE, HAPA TË RËNDËSISHËM FUQIZIMIN E GAZETARISË...

ETIKA”: DIALOGU NDËRKULTUROR DHE MBËSHTETJA INSTITUCIONALE, HAPA TË RËNDËSISHËM FUQIZIMIN E GAZETARISË NË LUGINËN E PRESHEVËS

SHPËRNDAJE

Bujanoc, 28 gusht 2026 – Shoqata e Gazetarëve “Etika” e vlerëson si të suksesshëm fillimin e realizimit të projektit “Dialogu ndërkulturor, ruajtja e identitetit të pakicave kombëtare dhe forcimi i mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve”, i mbështetur nga Ministria e të Drejtave të Njeriut, Pakicave dhe Dialogut Shoqëror.

Në kuadër të këtij projekti, më 28 gusht 2026, në Shtëpinë e Kulturës “Vuk Karaxhiq” në Bujanoc, u organizua një tribunë kushtuar dialogut ndërkulturor, ruajtjes së identitetit të komuniteteve dhe rolit të medias në forcimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve.

Në konferencën me gazetarë, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, Nexhmedin Saqipi, shprehu mirënjohjen për praninë dhe mbështetjen e ministrit të të Drejtave të Njeriut, Pakicave dhe Dialogut Shoqëror, Demo Berisha, ushtruesit të detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Nenad Mitroviq, drejtoreshës së Shtëpisë së Kulturës “Vuk Karaxhiq”, Albena Mustafa, si dhe për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të mediave nga Lugina e Preshevës.

Kryetari Saqipi falënderoi ministrin Berisha për kontributin dhe gatishmërinë e tij për të mbështetur autoritetet e Komunës së Bujanocit dhe drejtuesit e Shtëpisë së Kulturës “Vuk Karaxhiq” në krijimin e kushteve për sigurimin e një hapësire pune për gazetarët në kuadër të këtij institucioni kulturor.

“Deri tani, gazetarët nuk kanë pasur një hapësirë të veçantë dhe të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarisë së tyre informative, profesionale dhe kulturore. Një hapësirë e tillë do të krijonte kushte më të mira edhe për realizimin e aktiviteteve të Shoqatës, në funksion të informimit të drejtë, profesional dhe në interes të qytetarëve”, u shpreh Saqipi.

Ai theksoi se iniciativa për sigurimin e një hapësire të përbashkët për gazetarët ka hasur në vullnetin dhe gatishmërinë institucionale të ministrit Berisha dhe të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Trupit Koordinues për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, Nenad Mitroviq.

Sipas Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, krijimi i kushteve më të mira për punën e gazetarëve është një hap i rëndësishëm drejt avancimit të standardeve profesionale në gazetari, aftësimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm profesional të gazetarëve, si dhe forcimit të rolit të medias në shoqëri.

Në këtë kontekst, “Etika” synon që përmes veprimtarisë së saj mediatike dhe informative të nxisë bashkëpunimin ndërmjet gazetarëve dhe komuniteteve, dialogun ndërkulturor, mirëkuptimin e ndërsjellë dhe respektimin e diversitetit kulturor e gjuhësor.

Shoqata e Gazetarëve “Etika” vlerëson se mbështetja institucionale dhe bashkëpunimi me aktorët relevantë janë të domosdoshëm për krijimin e një mjedisi më të favorshëm për punën e gazetarëve dhe për forcimin e rolit të medias në informimin profesional, të paanshëm dhe në shërbim të qytetarëve, duke tejkaluar në mënyrë institucionalë praktikat e deritashme te ish disa pushtetarëve lokalë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, që për gazetarët dhe mediumet të tyre kanë dhënë mospëlqime dhe referenca, në favor të klientëve të tyre partiakë, që nuk kanë pasur kur “haber” në misionin e gazetarisë. Njofton Qendra për Informim e Shoqatës së Gazetarëve “Etika” – Bujanoc