Ballina Aktuale MA BËJ HALL, PRESHEVA IME!

MA BËJ HALL, PRESHEVA IME!

SHPËRNDAJE

Nga Arben Mehmeti

Ma bëj hall, Presheva ime!

Sa e vështirë është të shkruash për një vend që e ke dashur gjithë jetën, por që sot të dhemb më shumë sesa të gëzon.

Si mund t’i thuash lamtumirë vendit ku ke lindur, ku ke luajtur si fëmijë, ku ke varrosur të parët dhe ku çdo rrugë, çdo gur e çdo shtëpi të kujton diçka?

Por sot, Preshevë, nuk po të shkruaj nga zemërimi.

Po të shkruaj nga dhimbja.

Dhimbja e një biri që po sheh se si vendlindja e tij po zbrazet dita-ditës. Po sheh të rinjtë duke marrë valixhet, familjet duke kërkuar një jetë më të sigurt diku tjetër, ndërsa ti po mbetesh gjithnjë e më e vetmuar.

Kush ta vrau shpresën, Preshevë?

Kush ta vodhi të ardhmen?

Kush i bëri fëmijët e tu të besojnë se lumturia dhe suksesi gjenden vetëm jashtë teje?

Nuk janë vetëm rrugët që po boshatisen.

Po boshatisen shtëpitë, shkollat, lagjet dhe zemrat e njerëzve.

Dhe më e dhimbshmja është se shumë prej atyre që duhej të të mbronin, të zhvillonin dhe të ndërtonin të ardhmen tënde, duket sikur kanë harruar se për çfarë u besua pushteti.

Preshevë, nuk po të vret vetëm varfëria.

Nuk po të vret vetëm mungesa e vendeve të punës.

Nuk po të vret vetëm mungesa e investimeve.

Po të vret mungesa e shpresës.

Dhe një vend pa shpresë është një vend që po humb të ardhmen e vet.

Ma bëj hall, Presheva ime!

Unë do të iki. Do të mendoj për ty dhe do të më marrë malli. Por shpesh do ta vras mendjen: a do të të marrë edhe ty malli për mua?

E nëse do të më doje kaq shumë, pse më le të iki?

Pse i le të ikin të rinjtë? Pse i le familjet të shpërngulen? Pse i le ata që të deshën, të luftuan dhe sakrifikuan për ty, sot të ndihen të huaj në vendin e tyre?

Luftuam kaq vite për ty, e në fund të shitëm me politikë.

Dhe edhe po të rri, Preshevë, nuk kam më me kë.

Vendi po boshatiset çdo ditë. Shumë prej atyre që kanë mbetur janë vetëm fizikisht aty; mendjen dhe shpresën e kanë diku larg.

Të rinjtë po ikin.

Investitorët po ikin.

Familjet po ikin.

Diaspora po zvogëlohet.

Shkollat po boshatisen.

Fabrikat dhe vendet e punës mungojnë.

Infrastruktura të ka kthyer shpinën.

Ekonomia të ka gjunjëzuar.

Dhe politika… politika të ka plagosur më shumë se çdo gjë tjetër.

Të vranë politikisht. Të vranë ekonomikisht. Të vranë ngadalë, çdo ditë nga pak.

Ma bëj hall, Presheva ime!

Po të lë me vendet e tua të bukura, me malet e tua, me ajrin tënd të ëmbël dhe me diellin që duket sikur aty ngroh më shumë se kudo tjetër.

Tani që po mendoj, po të lë edhe me hënën që çdo natë duket sikur të qan hallet.

Preshevë, ndoshta ti nuk e di, por në asnjë vend nuk më ngroh dielli si aty dhe nuk më ndriçon hëna si aty.

Por çfarë vlere ka bukuria, nëse njeriu nuk ndihet i sigurt?

Çfarë vlere kanë malet, nëse shtëpitë po mbeten bosh?

Çfarë vlere ka pasuria, nëse ajo u shërben vetëm një pakice, ndërsa pjesa tjetër lufton për të mbijetuar?

Mirupafshim, Presheva ime!

Po iki për të gjetur një vend ku shpirti im të ketë pak qetësi. Një vend ku të mund të jetoj pa frikën se një ditë mund të bëhem viktimë e rastësisë, dhunës, krimit apo dëshpërimit.

Jam ende shumë i ri për të vdekur nga rastësia.

Mirupafshim, Preshevë!

Ti je e pasur me bukuri, histori, njerëz dhe kujtime, por fatkeqësisht duket sikur kjo pasuri u shërben vetëm një pakice, ndërsa pjesa tjetër po largohet në heshtje.

Hap sytë, Preshevë!

Lufta nuk sjell gjithmonë fitore.

Tradhtia sjell plagë.

Por më e dhimbshme se të gjitha është harresa.

Të harrosh të rinjtë.
Të harrosh familjet.
Të harrosh ata që sakrifikuan.
Të harrosh diasporën.
Të harrosh shkollat.
Të harrosh ekonominë.
Të harrosh të ardhmen.

Preshevë, a po shkon drejt zbrazjes?

A do të vijë një ditë kur rrugët e tua do të jenë të bukura, por bosh?

A do të dëgjohet zëri i fëmijëve në shkolla, apo vetëm era do të kalojë nëpër oborret e tyre?

Mos e lejo veten të vdesësh ngadalë.

Ti ke mbijetuar luftëra, varfëri, padrejtësi dhe shumë zhgënjime. Ke qëndruar në këmbë sepse kështu të kanë mësuar baballarët dhe gjyshërit tanë.

Prandaj, qëndro e fortë, Presheva ime!

Por këtë herë nuk të duhet vetëm forca.

Të duhet vetëdija.

Të duhet puna.

Të duhet drejtësia.

Të duhet ekonomia.

Të duhet siguria.

Të duhet shpresa.

Dhe mbi të gjitha, të duhet një politikë që të shërbejë ty, jo që të ushqehet me ty.

Sepse nuk mund të kërkosh që rinia të qëndrojë kur nuk i ofron as punë, as siguri, as perspektivë.

Nuk mund t’i kërkosh diasporës të kthehet kur ajo sheh se vendi i saj po boshatiset.

Nuk mund t’u kërkosh njerëzve të duan një vend që dita-ditës ua humb shpresën.

Më fal, Presheva ime!

Të kanë vrarë për së gjalli, politikisht dhe ekonomikisht.

Dhe më e dhimbshmja është se nganjëherë duket sikur edhe vetë bijtë e tu po të mallkojnë, duke të lënë në baltë.

Por unë nuk të mallkoj.

Unë të qaj.
Të kujtoj.
Të dua.

Dhe do të më mungosh.

Eh, Presheva ime… do të më mungosh aq shumë, sa do të pres vetëm një shenjë nga ti.

Një shenjë se je zgjuar.

Një shenjë se po ndryshon.

Një shenjë se po lufton për fëmijët e tu.

Dhe nëse ajo shenjë vjen…

Unë do të kthehem përsëri.

Sepse njeriu mund të largohet nga vendlindja.

Por vendlindja nuk largohet kurrë nga njeriu.