Ballina Aktuale Në takim, te kryeministri!

Në takim, te kryeministri!

SHPËRNDAJE

Rezidenca e Qeverisë së Kosovës dhe kryeministri i saj, shkëlqesia Isa Mustafa, priti, dje, në një takim pune, përfaqësues të pushtetit lokal dhe biznesmenë nga Lugina e Preshevës.

Autoritetet institucionale të Luginës së Preshevës, të prirë nga kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, nënkryetari i Preshevës, Xhelal Memeti, kryetari i Forumit për Zhvillim Ekonomik, Muharrem Salihu, koordinatori për Politikë të Jashtme, Aziz Aziri dhe Muharrem Zejnullahu, e njoftuan kryeministrin Mustafa, nga afër, për zhvillimet politike dhe ekonomike, në vend, si dhe hapat që duhet ndërmarrë përmes projekteve konkrete për zhvillimin e gjithanshëm të këtyre komunave me shumicë shqiptare.

Gjithashtu, gjatë këtij, takimi u bisedua për modalitete e bashkëveprimit në “fuqizimin e koordinimit në funksion të zhvillimit ekonomik, infrastrukturor, social dhe kulturor të tri komunave”, të parapara edhe me Rezolutën e miratuar, në vitin 2013, në Parlamentin e Kosovës, për formimin e një Fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës.

Në këtë takim zyrtar, Kryeministri Mustafa, shprehu përkushtimin e Qeverisë së tij, ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, institucioneve komunale dhe bizneseve lokale, për ngritjen, zhvillimin dhe avancimin e kësaj pjese të rëndësishme të kombit shqiptar.

Në një njoftim të Qeverisë së Kosovës, bëhet e ditur se ky takim është vazhdim i takimit të para pak javësh, që kryeministri Mustafa e zhvilloi me përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në favor të një bashkëpunimi të koordinuar ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Luginës së Preshevës, njofton jetapress.