Ballina Lajme Nga Rajoni Myftiu Saqipi: Mjaft më me kërcënime, spekulime, ofendime e provokime!

Myftiu Saqipi: Mjaft më me kërcënime, spekulime, ofendime e provokime!

SHPËRNDAJE

Z/reisi i Rijasetit të Serbisë, kryetari i BIPBM-së Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, lidhur me gjendjen e acaruar politike midis Kosovës dhe Serbisë, lëshon zërin e arsyes, duke reflektuar paqe, stabilitet, mirëkuptim dhe mirëqenie fqinjësore.

Myftiu Saqipi, fton qeveritë e dy shteteve sovrane, të lirohen nga sindromi i ngarkesave euforiste, në favor të një klime të volitshme për paqe e stabilitet në rajon.

“Mjaft më me kërcënime, shantazhe, spekulime, urrejtje, ofendime e provokime, se na çmendët! Jam i bindur se populli shqiptar dhe ai serb, janë lodhur e mërzitur me këto veprime aventureske dhe presin nga liderët e tyre, t’i ulin tensionet dhe të kontribuojnë për paqe. Ne jemi dëshmitarë se çfarë na solli lufta e fundit e si u ndamë nga ato të më hershmet!”.

Në vazhdim të mesazhit të tij paqësor Myftiu Saqipi, bën apel për dialog, si formën më të mirë për çtensionimin e situatës së trazuar këndej e matanë kufirit shqiptaro

serb, me bindjen se nuk janë shterur veprimet e matura e të pjekura politike, për ta nxjerr rajonin nga një ngërç politik e kolaps ekonomik.

“Në këtë drejtim nuk duhet të rri duarkryq bashkësia ndërkombëtare e cila qe 18 vjet ka investuar për të mbjell paqe e stabilitet në këtë rajon deri dje të përfshirë nga luftërat e përgjakshme, që pasojat e tyre edhe sot po i ndien, prek e heq shoqëria shqiptaro serbe. Popujt e Ballkanit janë ngop me gjak e luftëra, ata nuk e meritojnë edhe njëherë t’i kthejnë prapa skenat e trishtuara të historisë tragjike”, thekson Myftiu Saqipi.

Gjithashtu, në mesazhin e tij të paqes Myftiu Saqipi, nuk lë pa përmendur edhe kohën e zgjedhjeve presidenciale në Serbi, e ndoshta edhe ato parlamentare në Kosovë, të cilat po i motivojnë politikanët të përfitojnë nga këto situata të trazuara për poena politikë, të cilët nuk i shkojnë për shtati krijimit të një ambienti të shëndetshëm paqësor.

“Ikonat fetare, ashtu si freskat religjioze, janë të shenjta. Ato, nuk bënë të keqpërdoren për fushata propagandistike politike e aq më pak për ta dekoruar një tren si ky i fundit, që deshi të hyj në Kosovë ilegalisht. Askush nuk e konteston lëvizjen e lirë të mallrave, makinave dhe njerëzve mes kufijve shtetëror e as nuk është për ngritje muresh e istikamesh mes popujve. Merrni si shembull Luginën e Preshevës e cila falë një kulture e gjeturie politike, ka arritur t’i ikë skenareve nga më të kobshmet që di t’i pjell mendja e njeriut të sëmur patologjikisht. Ndaj, ne na duhen ura bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe afrimi ndërnjerëzor”, thuhet në apelin për paqe të , Myftiut Nexhmedin ef. Saqipi./jetapress/