Ballina Aktuale Lugina e Preshevës, në agjendën ndërkombëtare

Lugina e Preshevës, në agjendën ndërkombëtare

SHPËRNDAJE

Kohëve të fundit, janë shtuar vizitat e krerëve institucionalë të Luginës së Preshevës, nëpër ambasadat e shteteve të huaja, të akredituara në Beograd.

Kryetarët e komunave të Bujanocit dhe Preshevës, Shaip Kamberi dhe Shqiprim Arifi, patën kënaqësinë të takohen në Beograd, me Ambasadorin e Britanisë së Madhe, Denis Keef.

Qëllimi i këtij takimi ishte forcimi i lidhjeve të bashkëpunimit konstruktiv të qeverisjeve lokale në Luginë të Preshevës, me ndërkombëtarët dhe qeverinë e Beogradit.

Shaip Kamberi, kryetar komune në Bujanoc, në profilin e tij, në facebook, ka theksuar: “Fokusimi më i madh i ndërkombëtarëve në Luginë të Preshevës, është qëndrim i yni i përbashkët dhe domosdoshmëri. Vullneti politik për bashkëpunim më të ngushtë me përfaqësuesit e ambasadave mike të akredituara në vend është i pakontestueshëm”.

Ngjashëm është shprehur përmes rrjetit social edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi:

“Njoftuam shkëlqesinë e tij për situatën aktuale politike në Luginën e Preshevës dhe e njoftuam edhe për ndryshimet politike në vitin e kaluar me ndërrimin e pushteteve lokale në të dy komunat. Ambasadori Keefe u shpreh i kënaqur me këto ndryshime politike dhe me konstruktivitetin dhe pragmatizmin në zgjidhjen e problemeve teknike dhe politike”.

Vlen të theksohet se Ambasada e Britanisë së Madhe e akredituar në Beograd, përmes projekteve konkrete është duke i ndihmuar komunat e Luginës së Preshevës, në zhvillimin ekonomik e infrastrukturor, për ngritjen e cilësisë së jetesës të qytetarëve të këtij rajoni, i cili prej vitesh përballet me një varfëri ekstreme/ jetapress/.