Ballina Lajme Nga Rajoni Kur llapton “Presheva jonë”?!

Kur llapton “Presheva jonë”?!

SHPËRNDAJE

Portali informativ nga diaspora “Presheva jonë”, me publikimin e tekstit: “Lufta”, përqafimet dhe fyerjet e Nikoliqit ndaj shqiptarëve, fushatë, urrejtje apo dashuri?, ka bërë një skandal të radhës, duke shkelur me dy këmbë në etikën e gazetarisë, të cilën edhe ashtu e ka pasur mungesë, që nga themelimi i tij.

Portali informativ “Presheva jonë”, nuk është hera e parë që gabon kur shkruan për Luginën e Preshevës, duke ia futur kot, si prej kodre, me lajme paushalle, të rreme dhe shpesh të sajuara, si ato të shtypit të verdhë të Beogradit.

Biografia e portalit “Presheva jonë”, e ka mbushur kupën edhe me një shkrim të pa vlerë, tendencioz dhe qëllim keq për shumë arsye e para presidenti i Serbisë Nikoliq, me rastin e ndarjes së mirënjohjeve “nuk e ka gjetur  një shqiptar në Luginën e  Preshevës, të cilit ia dha një dekorim për “paqe”, madje shqiptarin nga Bujanoca (një hoxhë) edhe e përqafon, duke na  e përkujtuar farkimin e “vëllazërim –bashkimin” të serbeve, të cilët dikur në Kosovë ditën përqafonin e natën prenin e dhunonin shqiptarët ?!..sepse dikush ia ka propozuar atij një emër të tillë që meriton medalje për paqe, e dyta njeriu i dekoruar nga presidenca nuk është, thjesht një hoxhë sipas “Presheva jonë”, por një Myfti i Luginës, një kryetar i Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe një zëvendësreis i Rijaseit të Bashkësisë Islame në Serbi, e mbi të gjitha është një veprimtar i njohur i kauzës kombëtare e fetare, për të cilën flasin kontributet në llogari të paqes, stabilitetit dhe mirëqenie njerëzore, së treti “Presheva jonë”, e di fare mirë se ky veprimtar i devotshëm është Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, për figurën e tij shumëdimensionale, pak është e mjaftueshme vetëm një medalje qoftë edhe e argjend e qoftë edhe nëse vjen nga një shtetar, me siç thotë “portali alla presheva jonë”, shquhet për deklarata luftënxitëse e dukuri të tjera. Mirënjohje, po nga presidenti Nikoliq, marrin edhe personalitete jashtë Serbisë, madje edhe nga Amerika, e cila mbahet mend për fushatën ajrore, po nuk mbahet mend për refuzimin e dekoratave…

Në kohën kur mediet prestigjioze propagandojnë për ngritjen e urave të bashkëpunimit, nxitjen e dialogut dhe urave të pajtimit, del një kasnec si ky i “Presheva jonë” e lyp mjegull si ujku i vetmuar për përfitime materiale. Aq, më shumë, në këtë kohë të ndjeshme e tepër delikate, etiketon njerëz, duke mbjellë urrejtje nacionale e fetare, në momentet kur edhe vetë Kosova ngrit Grupe të pajtimit, Amerika e Europa, lëshojnë mesazhe paqe e kjo dekorata e Myftiut Saqipi, a nuk është një dritare për shpresat paqësore?

“Presheva jonë”, një portal telall nga diaspora, trumbeton për gjëra të demoduara, që nuk pinë ujë në botën mediatike, të cilat madje konsiderohen të shpifura, bizare dhe paçavure të pa vlera“Presheva jonë”, duhet të pushoj me këto marrëzira, të cilat e kanë mbushur kupën në Luginë, duke ndotur ambientin publik me lajme të rreme, shantazhe e afera nga më të poshtrat që njeh gazetaria shqiptare.

Portali “Jetapress”, ka një porosi për portalin “Presheva jonë”, të heq dorë nga këto shkrime ndjellakeqe, shantazhuese dhe grindavece, t’i përmbahet Kodit të gazetarisë, në mënyrë që në të ardhmen mos të ketë telashe nga drejtësia për shpifje dhe nënçmim të personaliteteve, duke prekur në dinjitetin dhe etikën e tyre njerëzore, aq më shumë për një portal si ky i “Presheva jonë”, që nuk është as i regjistruar dhe as pa adresë./jetapress/