Ballina Lajme Nga Bota Gjuha shqipe si lende ne Turqi, lajm i mire per 6 milione...

Gjuha shqipe si lende ne Turqi, lajm i mire per 6 milione shqiptaret atje

SHPËRNDAJE

Ministria turke e Arsimit Kombëtar ka vendosur në programin arsimor për vitin e ardhshëm gjuhën shqipe dhe boshnjake si lëndë me zgjedhje duke nisur që nga klasat e 5-ta.

Dy gjuhët e miratuara nga Bordi i Arsimit dhe Edukimit do të jenë lëndë me zgjedhje duke filluar nga klasat e pesta, raporton AA.

Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka marrë nga zyrtarët e ministrisë, mësohet se në kuadër të projektit “preferenca ime është turqishtja”, i zhvilluar në prill të vitit të kaluar nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit të Turqisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës është mbajtur “Festivali i 4-ët tradicional i fëmijëve”, për nxënësit të cilët mësojnë turqishten si lëndë me zgjedhje në shkollat shtetërore të Bosnje dhe Hercegovinës.

Në këtë kuadër në tetor të vitit të kaluar mes Ministrisë turke të Arsimit dhe Universitetit Trakya ishte nënshkruar protokolli i bashkëpunimit me qëllim për të mundësuar që nxënësit të kenë njohuri të kulturave të ndryshme, dhe transmetimin ndaj brezave të ardhshëm të gjuhëve dhe dialektet që “jetojnë” në Turqi.

Programi mësimor i gjuhës shqipe dhe boshnjake, pasi u përgatit dhe u vlerësua edhe me kontributet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Bazë të Ministrisë së Arsimit, u paraqit në Kryesinë e Bordit të Arsimit dhe Edukimit.

Pas procesit të vlerësimit të programit kanë nisur punimet për përgatitjen e teksteve mësimore. Nxënësit që nga viti i ardhshëm mësimor do të mund të mësojnë gjuhët shqipe dhe boshnjake si lëndë me zgjedhje në shkolla që nga klasa e 5-të.

Profesori i gjuhës shqipe, Rrahman Paçarizi po e sheh si lajm jashtëzakonisht të mirë faktin se Turqia ka futur gjuhën shqipe si lëndë mësimore zgjedhore në shkollat e mesme.

“Është një moment i rëndësishëm pasi dihet se në Turqi jetojnë më shumë se 6 milionë shqiptarë të cilët kanë nisur të humbasin gjuhën shqipe, madje ajo ka mbetur si relikt vetëm tek gjeneratat më të vjetra”.

“Jam i bindur se futja e gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore do të ndihmojë ringjalljen e gjuhës shqipe, ky është një trend interesant në respektimin e të drejtave të minoriteteve”.

“Një rast i tillë ka ndodhur edhe në Itali me arbreshët e Italisë ku atje tashmë janë të dukshme efektet e para, një moment po aq interesant kemi pasur edhe me hapjen e shkollës shqipe në Zarë të Kroacisë”.

Gjuhëtari Paçarizi që ishte i ftuar në Kosova Direkt në Klan Kosova ka thënë se megjithatë përvetësimi i gjuhës shqipe mund të jetë i vështirë, por jo i pamundur.

“Përvetësimi i gramatikës mund të jetë i vështirë, pasi sistemi gramtikor i gjuhës turke është tjetër, por megjithatë “gjurmët” e gjuhës shqipe nga prindëerit dhe gjyshërit mund t’i ndihmojnë”.

“Nëse arbreshët kanë arritur të ruajnë gjuhën e tyre më shumë se 600 vjet, edhe shqiptarët e Turqisë kanë arritur të ruajnë gjuhën shqipe këto 60 vjetët e fundit andaj besoj shumë se gjuha shqipe do të ringjallet edhe për faktin se Kosova dhe Turqia kanë një realcion shumë të mirë”.

Sipas profesorit të gjuhës shqipe, mund të jetë e vështirë edhe gjetja e kuadrove për mësimdhënie.

Por ai e sheh si një mundësi shkëmbimin e kuadrove mes Kosovës dhe Turqisë.

“Ndoshta nuk ka ligjëruesë të mjaftueshëm mirëpo mund të shfrytëzohen burime edhe nga këtu pasi raportet mes të dyja vendeve janë të mira dhe mund të shfrytëzohen edhe për shkëmbim kuadrosh”.

“Kjo do të ishte edhe një rast i mirë që njerëzit nga këtu ta shohin në perspektivë edhe mundësinë e punësimit në Turqi”.

Profesori Paçarizi ka deklaruar se pavarësisht që nuk mund të pritet që gjuha shqipe të flitet në Turqi ashtu si në Kosovë, mjafton që shqiptarëve atje t’u rikthehet ndjenja kombëtare më fuqishëm, përmes gjuhës.