Ballina Aktuale Kosova në BE dhe në NATO, ose e ribashkuar me Shqipërinë

Kosova në BE dhe në NATO, ose e ribashkuar me Shqipërinë

SHPËRNDAJE

Kjo do të ishte e vetmja zgjidhje reale, pragmatike, e ligjshme, demokratike dhe paqësore afatgjatë e “mbijetesës” së Kosovës, jashtë ndikimeve, përzierjes, kthetrave dhe pretendimeve territoriale kolonialiste dhe neokolonaliste të Serbisë. Ndryshe, qenësia e saj shtetërore vazhidmisht, do të jetë e rrezikuar dhe e sfiduar nga ndërhyrjet brutale dhe joligjore të Serbisë në çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës.

Momentalisht, Kosova është nën mbrojtjen e NATO-s dhe të Amerikës, çka do të thotë se, gjasët janë minimale për pushtimin e saj nga Serbia dhe nga Rusia . Por, ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës, duke mos e njohur si shtet të pavarur, na apostrofojnë dhe na bëjnë me dije se Kosova është në rrezik nga aleanca serbo-ruse me Putinin, me Nikoliqin, me Vuciqin, me Daçiqin dhe me Sheshelin ne krye, sepse këta bashkërisht janë duke vepruar për zhbërjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës (17 shkurt 2008).

Pse Kosova ndodhet në rrezik nga Beogradi dhe Moska?

Ja, disa nga argumentet, që jusitfikojnë frikën nga rrezikimi i Kosovës nga ana e “anshlusit” serbo-rus: 1) Serbia (prerazi )nuk po e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ashtu siç e kanë njohur 111 shtete të tjera të OKB-së, por, ende e konsideron si pjesë të saj territoriale sipas Kushtetutës së Serbisë (2006); 2) Gjithashtu, Rusia nuk e njeh Republikën e Kosovës, por e quan territor legal të Serbisë, duke marrë parasysh Rezolutën 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara, sipas së cilës “kosova është krahinë e Serbisë”; 3) Vazhdimi i dialogut serbo-shqiptar nën monitorimin e BE-së në Bruksel (2010-2016); Mosnjohja e Kosovës si subjekt juridik ndërkombëtara nga ana e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara , ku Rusia me VETO-n e saj ka “ngrirë” statusin e Kosovës, duke u bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, e cila me paragrafët e saj mohon pavarësinë e Kosovës; 4) Agjitacioni propagandistik i Moskës dhe i Beogradit në shkallë ndërkombëtare, që Kosova të mos njihej nga shtetet e tjera anëtare të OKB-së, gjoja se “Kosova është djepi dhe zemra historike, nacionale, kulturore dhe religjioze”.

Mirëpo, ky konstatim ruso-serb është falsifikati më i madh i historisë serbe, që nga Beteja e Kosovës (1389), sepse Kosova, kurrënjëherë nuk ka qenë pjesë e territorit të Serbisë , por vetëm një koloni e saj, e pushtuar me agresion dhe me gjenocid qysh nga vjeshta e vitit 1912. Kosova ishte zemra e Dardanisë Ilire, pa asnjë element historik, etnik, kulturor dhe shtetëror sllav.

Prioriteti, Kosova e integruar në BE dhe në NATO!

Objektiv parësorë numër një i politikës së brendshme dhe të jashtme të Kosovës dhe të Shqipërisë, duhet të jetë kërkesa e njësuar strategjike drejtuar Amerikës, BE-së dhe NATO-s, që së pari, Kosova të aderonte në Bashkimin Evropian (BE) dhe në Aleancën e Atlantikut Verior (NATO). Ndryshe, nëse veprohet anasjelltazi, së pari, Shqipëria në BE, atëherë, Kosova, do të mbetej, edhe jashtë BE-së, edhe jashtë bashkimit me Shqipërinë, sepse BE-ja, do ta kushtëzonte pranimin e Shqipërisë në gjirin e saj, duke kërkuar ndryshimin e Preambulës së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku flitet për “bashkimin kombëtar shqiptar”.

Duke qenë se, edhe në Kushtetutën e Kosovës (15 qershor 2008), është stipuluar klauzola juridike, që Kosova të mos bashkohet me ndonjë shtet fqinjë, domethënë me Shqipërinë, atëherë, edhe Tirana zyrtare së bashku me Prishtinën zyrtare, do të duhej, që kërkesën e tyre të përbashkët t’ua parashtronin BE-së dhe NATO-s, në mënyrë që Kosova të integrohej sa më parë në radhët e tyre.
Pra, nëse Kosova nuk do bashkohej me Shqipërinë, para se kjo të aderonte në BE, nuk ka dyshim se kjo do mbetej edhe jashtë integrimit me Shqipërinë, edhe jashtë integrimit me BE-në.

Një gjendje e tillë “limbo” më së shumëti, do t’i konvenonte aleancës ruso-serbe, që Kosovën ta mbajnë edhe më tej “peng” si “monedhë kusuri” të sferës së interesit strategjik tradicional ,historik, ideologjik dhe religjioz sllav në Ballkan.

Për ta penguar dhe izoluar politikën dhe praktikën hegjemoniste, kolonialiste dhe gjenocidale serbo-ruse në Ballkan, pikësëpari ndaj kombit shqiptar dhe territoreve të Shqipërisë, është e domosdoshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës me procedurë të shkurtër, ta fusnin Kosovën në BE dhe në NATO, sepse kjo do të ishte strategjia më e efektshme për ta mbrojtur Kosovën nga çdo rrezik eventual i Rusisë dhe i Serbisë.

Nëse, Kosova mbetet edhe më tej si objekt debati ndërkombëtar ( për shkak të “problemit verior” të Kosovës, të shpikur nga Beogradi) mes palës kosovare dhe asaj serbe të Beogradit në Bruksel (gjoja për normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë dhe të Kosovës), atëherë, edhe për shumë vite, do të zvarritej njohja e subjektivitetit të saj juridik ndërkombëtar nga ana e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Si rrjedhim, mosnjohja e Kosovës nga KS i Kombeve të Bashkuara, është një sëmundje endemike, e cila, në vazhdimësi, do ta rrezikojë substancën kombëtare, territoriale dhe shtetërore të Republikës së Kosovës.

Serbia me marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke falënderuar palës negociuese kosovare po synon rikthimin e sovranitetit kolonial dhe neokolonial të saj në Kosovë (1912-1999). Këtë objektiv afatgjatë të Serbisë, në mënyrë spektakulare e provoi edhe lidhja e Marrëveshjes për formimin e “Srpska zajednicës” (integrimin e të gjitha komunave serbe në Kosovë). Siç kemi shkruar edhe dhjetra herë më parë, që nga fillimi i “dialogut teknik” mes Prishtinës dhe Beogradit (2010) kjo marrëveshje është një draft fillestar i Kushtetutës për themelimin e një “republike serbe” në Kosovë, ashtu sikurse ajo e “republikës serbe” në Bosnjë (1992).

Këtë objektiv gjeopolitik dhe gjeostrategjik afatgjatë të rikthimit të Serbisë kolonialiste në Kosovë, nuk e fsheh as Beogradi, as Moska e as minoritarët serbë në Kosovë, të cilët, edhe pse participojnë në qeverinë dhe në parlamentin e Kosovës, nuk e njohin Kosovën si shtet të tyre, por Serbinë. Këtë, ndër të tjera, e dëshmon edhe fillimi i organzimit të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë, të cilat, do bëhen më 23 prill 2016.

-Çfarë skandali politik, juridik dhe kushtetues ky, Serbia organizon zgjedhje për minoritetin e saj në një shtet të huaj?!

– Po, a do të lejonte Beogradi zyrtar, që në Preshevë, në Bujanoc dhe Medvegjë, Shqipëria ose Kosova, t’i organizonin zgjedhjet e tyre nacionale, ku do të votonin edhe minoritarët shqiptarë? Përgjigjja është negative.

Nuk ka asnjë dilemë se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, edhe në Kosovë, është akt i shkeljes së sovranitetit terrirotiral dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, që në kuptimin politkko-juridik dhe kushtetues, do të thotë se Kosova “është njësi territoriale administrative dhe shtetërore e Serbisë”!?

Kjo përzierje dhe agresion indirekt i Srbisë ndaj Kosovës, është edhe një argument më shumë, pse Amerika me aleatët e saj evropianë perëndimorë, duhet ta rishikojë strategjinë e saj politike, diplomatike dhe ushtarake lidhur me zgjidhjen paqësore të çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan.

Ndryshe, do të mbetet vetëm iluzion krijimi i një integrimi dhe ekuilibri ballkanik, për shkak se Serbia e madhe hegjemoniste dhe kolonialiste nuk po heq dorë nga Kosova, nga Presheva, nga Bujanoci dhe nga Medvegja, duke i konsideruar si pjesë integrale të territorit jugor të saj./lajme