Ballina Opinione Liria individuale dhe patriotizmi

Liria individuale dhe patriotizmi

SHPËRNDAJE
Shkruan: Shemsije Elshani

Gruaja kosovare nuk është vetja. Atë e gjejmë gjithmonë të identifikuar qoftë me familjen e vet nga vije, apo me burrin dhe familjen e tij. Raportet shoqërore ngrihen mbi mohimin e saj si subjekt aktiv shoqëror. Në procesin shoqëror, gati gjithherë është në rolet dytësore, edhe nëse ndonjëherë merr formalisht ndonjë pozicion, prapa tyre qëndron gjithmonë ndonjë burrë.
E parë kështu, nga ky këndvështrim, krijohet përshtypja sikur atdheu është i burrave, dhe liria është monopol po ashtu i burrave, ndërsa harrojmë që liria, kjo gjendje supreme e njeriut, fillon te vetja. Mua për vete, nuk me duhet një liri që varet prej burrave. Këtë lloj special të lirisë e has gjithandej në Kosovë. Meqë gratë në mase të madhe po ndihen të lira, kam filluar të dyshoj në veten time që edhe unë paskam qenë e lirë, por nuk kam arritur ta përjetoj.
Nga mjekësia e di që, kur devijohet përçimi i mesazheve në qelizat nervore, bëhet fjale për çrregullime kognitive. Psh njerëzit që nuk arrijnë të perceptojnë realitetin dhe që janë të detyruar të shfaqin dominancën e tyre, krijojnë ca situata të imagjinuara për të manifestuar sjelljen e tyre të keqe. E tërë kjo ka një qendër në tru që konverton informacionet e marra sipas mënyrës që i konvenon atij personi.
Kjo më shumë ndodh te personat narcistë, të cilët nuk e njohin kritiken dhe autokritikën, por çdolloj kritike, sado konstruktive qoftë, e marrin për fyerje. Dhe meqë ekzistencën e tyre e bazojnë tërësisht në perfeksionimin dhe pagabueshmërinë e tyre, një kritikë e tillë ata do t’i lëndojë për vdekje. Në këtë mënyrë, për t’u mbrojtur vënë në funksion qendrën që konverton kritiken në një lavdërim! Vetëm kështu arrijnë ta gjejnë harmoninë e tyre me rrethin.
Nëse unë jam në rregull psikikisht, atëherë si ta kuptoj këtë kuotën, e cila tash paska zbritur në 25 % në Parlament? Kjo më ngjanë sikur në kohen e vëllaznim-bashkimit, kur në çdo lloj zgjedhje që organizohej, në çdo nivel, patjetër duhej të respektohej kuazibarazia nacionale.
Me këtë çelës shkonte Fadil Hoxha a Sinan Hasani në kryesinë e Jugosllavisë. Se çfarë interesash ata mbronin në atë kryesi, e dimë tashmë. Sinqerisht mendoja se nga ky mentalitet jemi liruar, por jo , fatkeqësisht edhe sot në vazhdojmë të vendnumërojmë.
Nuk ndryshojmë as mendimin as principin e punës, as metodat për të arritur te pushteti. Zgjidhemi dhe vetëzgjidhemi duke përfituar nga injoranca e tjetrit. Kjo zgjedhje në bazë të kuotës, në baze të gjinisë, më diskriminon jo vetëm si njeri, por edhe si qytetare edhe si intelektuale, e mbi të gjitha si nënë e si grua, duke me mohuar kështu edhe çdo atribut tjetër personal. Kjo më vret më së shumti. Është momenti kur duhet reaguar.
Nuk do të doja vend në qeveri pa meritë as pse biologjikisht jam femër, as pse biologjikisht jam në farefisni me filan dëshmorin, madje as për të kaluarën time personale. Nivel subkulture i thonë kësaj. Jemi në shekullin 21, në kohën e demokracive moderne. Gratë që ranë në altarin e lirisë për Kosovën, nuk ranë për shkak të idealit të burrit a të vëllait, por për shkak të idealit të tyre.
Oj gra pushtetare, ma keni gërditur gjininë me këtë kuotë! Në vend që të luftoni për shanse të barabarta, ju kënaqeni me një copë karrige dhe shkelni mbi gjen më të shtrenjte – mbi lirinë tuaj të zgjedhjes. Ndërsa liria kombëtare është vetëm njëra nga përmasat e patriotizmit, liria shoqërore, ajo merr kuptim vetëm me lirinë tuaj shoqërore dhe individuale. Kuota nuk është garanci për këtë. Përkundrazi, ajo është shtypje e rendit të dytë.