Ballina Lajme Nga Rajoni Ngritja profesionale e mësuesve nga Lugina e Preshevës

Ngritja profesionale e mësuesve nga Lugina e Preshevës

SHPËRNDAJE

Në Durrës, të Shqipërisë, dje, më 26 mars, përfundoi me sukses seminari dy ditorë për ngritje profesionale për mësimdhënësit e shkollave shqipe të Luginës së Preshevës.

Seminarin me temën: “Zhvillimi profesional i mësuesve nga Lugina e Preshevës-kultivimi i vlerave kombëtare”, e ka organizuar Ministria e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë.

Siç bëhet e ditur nga kryeshefi  për veprimtari  shoqërore  në Bujanoc, Agim Hasani, realizimi i këtij seminari ka ardhur si “rezultat i takimit të fundit, që ka pasur kryetari i  Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi dhe deputeti popullor Fatmir Hasani, me ministren e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë Lindita Nikolla”.

Ky seminar, vazhdon më tej z. Hasani, që u zhvillua në Durrës, është i pari i këtij lloji, i cili kishte për qëllim ngritjen e nivelit të arsimit shqip, jashtë territorit të Republikës së Shqiëprisë, ku të gjitha shpenzimet e tij, i  mbuloi shteti shqiptar.

Mbi 90 mësimdhënës të gjuhës shqipe dhe të historisë nga Lugina e Preshevës, ndoqën seminarin, duke përfituar përvojë profesionale nga fusha të ndryshme të gjuhës dhe historisë shqiptare.

Mësimdhënësit nga Lugina, gjithashtu, përveç përvojës së arritur në fushën e misionit të tyre prej edukatori, ata u pajisën edhe me nga një Certifikatë, për pjesëmarrjen në trajnimin: “Zhvillimi profesional i mësuesve të Luginës së Preshevës në lëndët e gjuhës shqipe, letërsisë dhe trashëgimisë kulturore, për ruajtjen, zhvillimin dhe kultivimin e vlerave kombëtare”, të firmosura nga Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë.

Vlen të theksohet se krijimit të klimës së volitshme të bashkëpunimit në mes të Luginës së Preshevës dhe shtetit amë, i paraprinë vizita historike e presidentit shqiptar Bujar Nishani në Bujanoc dhe Preshevë, pastaj takimi i kryeministrave: Rama – Vuçiq, në Beograd, si dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës të Serbisë.

Marrëveshja u nënshkrua, më 24 shkurt, të këtij viti, nga dy ministrat e Kulturës, ai serb, Vladan Vukosavleviq dhe ministrja shqiptare, Mirela Kumbaro. Ministri serb e vlerësoi këtë si një moment historik për bashkëpunimin kulturor mes vendeve, ndërsa shprehu vullnet të plotë për të mbështetur maksimalisht çdo nismë kulturore mes dy vendeve.

Relaksimi i raporteve ndër-fqinjësore në mes Tiranës dhe Beogradit, gjithsesi se ndikon në të mirë të përmirësimit të kushteve në fushën e arsimit dhe kulturës për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke llogaritur zgjidhjen e problemit të teksteve mësimore, zgjidhjes ligjore të simboleve kombëtare dhe zbatimit në praktikë të dygjuhësisë.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës i mirëpresin trajnimet e tilla zhvillimore në fushën e arsimit dhe në fushat tjera të veprimtarive me interes qytetar e kombëtar, të organizuara nga Shqipëria, me shpresë se nismat e tillë, në të ardhmen, nuk do të mungojnë as nga Republika e Kosovës, pjesë integrale të së cilës kanë qenë, gjithmonë, gjatë gjithë historisë./jetapress/