Ballina Aktuale Myftiu Saqipi: “Të pushojnë deklaratat e poenave të lirë politikë!”

Myftiu Saqipi: “Të pushojnë deklaratat e poenave të lirë politikë!”

SHPËRNDAJE

Apeli për paqe

 

Deklaratat e fundit të lidershipit shqiptar dhe atij serb, për bashkim dhe integrim, duke mos përjashtuar edhe luftën, tregojnë se Shqipëria, Kosova dhe Serbia, janë në krizë.

Kriza institucionale, që i përcjell këto shtete ballkanike për 18 vjet me radhë, nga sistemet pluraliste në ato diktatoriale, ka bërë që problemet artificiale të barten në rrugë, pastaj të ngulfaten duke hedhur topin te bashkimet kombëtare etj.

Shqipëria e sotme ka probleme me “Çadrat e lirisë”, të drejtuara nga opozita e pakënaqur me jetën institucionalë në vend, e cila paralajmëron aferën e rrugëve edhe jashtë çadrave. Po ashtu edhe Kosova, kohëve të fundit është e përballur me problemin e demarkacionit e asociacionet, të cilat po bllokohen që të realizohen në Parlament, duke u bllokuar me gaz lotsjellës, gjuajtje të vezëve, madje edhe me protesta.

Serbia si shtet shumetnik ka 20 ditë, që përballet me protestat e studentëve, sindikalistëve të ushtrisë dhe policisë, si dhe të opozitës, që kërkojnë shembjen e diktaturës së Vuçiqit, manipulimin me votat e qytetarëve e probleme të tjera të natyrës politike dhe ekonomike.

Për t’i shmangur problemet institucionale dhe për t’i bartur problemet e pakënaqura të opozitës, në terrene tjera edhe më të nxehta se protestat, zyrtarët e pushteteve kërkojnë luftë, bashkim territoresh, në përmasa ballkanike.

Në këto afera institucionet shtetërore mundohen t’i involvojnë edhe krerët fetarë, siç është rasti me Patriarkun e kishës ortodokse serbe Irinej në lidhje me deklaratën e liderëve shqiptarë për bashkim, nëse zbehet perspektiva evropiane për integrime.

“Më duket se shqiptarët me ndihmën e disa miqve të vjetër duan t’i realizojnë dëshirat e tyre. Nuk dua t’i emëroj, po si duket e duan deri në Nish. Ndoshta pak është ajo, do të duan deri në Beograd”, ka deklaruar Patriku Irinej.

Lidhur me situatën e krijuar, pa nevojë, në terrenet ndërshtetërore ka nxitur reagimin e Myftiut të Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, i cili pavarësisht kësaj lufte të ftohtë mediale, kërkon të pushojnë emocionet nga kokat e nxehta dhe t’i kthehen normalitetit, ngase luftën e patëm dhe akom po i heqim pasojat e saj.

Shqipëria dhe Serbia, kohëve të fundit, kanë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi kulturor dhe ekonomik, si dhe Kosova e Serbia, po ashtu që nga viti 2011, kanë firmosur në Bruksel disa marrëveshje, të cilat kanë ngecur në mes të rrugës dhe kërkohet, që ato të implementohen.

Ja disa shembuj, që duhet të mendojmë mirë: “Pas demilitarizimit të UÇPBM dhe ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, Serbisë ju ka dhënë shansi historik, që shqiptarët e Luginës të konsiderohen si shtetas të saj, mirëpo ajo këtë nuk e ka marrë seriozisht për t’i bindur ata se nuk janë të diskriminuar në shtetin ku jetojnë si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik”, thotë Myftiu Saqipi.

– Serbia edhe gjatë luftës në Kosovë, shqiptarët e Luginës i ka trajuar si shqiptarët e Kosovës, duke i provokuar në forma të ndryshme, mirëpo shqiptarët e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, përmes mjeteve politike dhe institucionale i kanë ikur këtyre problemeve edhe pse shumë pak u shpërblyen me proceset integruese në organet e pushtetit lokal dhe të atij shtetëror, shton Myftiu Saqipi.

– Vetëm të kujtojmë mobilizimin e dhunshëm, bastisjet, arrestimet etj, të cilat bëheshin kinse për ta luftuar terrorizmin dhe format e tjera të shlyerjes së shqiptarëve nga evidenca e gjendjes civile, dike bërë spastrim etnik në Luginë, konstaton Myftiu Saqipi.

Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexmedin ef. Saqipi, i cili njëherit është edhe zëvendës i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, i dekoruar para disa muajve nga presidenca serbe me medaljen për paqe dhe stabilitet, kërkon të pushojnë deklaratat luftënxitëse dhe të pushoj shtypi i verdh nga propaganda për nxitje të tensioneve ndëretnike e ndërshtetërore, ngase po na kthejnë prapa tensionet e dikurshme, të cilat shqetësojnë qytetarët edhe ashtu të ngarkuar me shumë probleme ekzistenciale.

Mesazhi paqësor i Myftiut të Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, vjen në momentet më të acaruara midis udhëheqësve shqiptarë dhe serbë, duke përfshirë edhe ndërkombëtarët, të cilët kanë investuar për proceset paqësore, për tu shkëputur nga kërcënimet, ofendimet dhe aferat e ndryshme, të cilat nuk kontribuojnë për të mirën e paqes dhe stabilitetit në rajon, njoftoj jetapress.