Ballina Lajme Nga Rajoni Përmes investimeve kosovare, nxitet punësimi në Luginë

Përmes investimeve kosovare, nxitet punësimi në Luginë

SHPËRNDAJE

Një delegacion i lartë i qeverisjes komunale në Bujanoc, i prirë nga kryetari, Shaip Kamberi dhe disa afaristë lokalë, qëndruan për një vizitë zyrtare në Odën Ekonomike të Kosovës.

Kjo vizitë kishte për qëllim nxitjen e bizneseve kosovare për të investuar në krahun lindor të Kosovës, për ta ringjallur sado pak ekonominë e shkatërruar të Komunës së Bujanocit, zbutjen e varfërisë ekstreme dhe hapjen e vendeve të reja të punës për të rinjtë.

“Vetëm zhvillimi ekonomik i Preshevës, Bujanoci dhe Medvegjës, mund të jetë garanci e qëndrimit të shqiptarëve atje. Një ndër rekomandimet, që do të dal nga ky takim është edhe organizimi i një konference si mundësi që bizneset e Kosovës të investojnë në atë pjesë si mundësi për punësim dhe zhvillim”, ka thënë Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Ndërkaq, Shaip Kamberi, diskutoi lidhur me mundësinë e  investimeve të bizneseve kosovare, në Luginë të Preshevës, për të nxit punësim, zhvillim dhe mirëqenie sociale.

“Lugina Preshevës po kalon ndër sfidat më të rënda që i ka pas në kohën moderne me një represion ekonomik. Nuk kemi arritur që të ndërtojmë një sistem të organizuar t’i ndihmojmë Luginës”, thekëson z. Kamberi.

Pas përfundimit të vizitës në Odën Ekonomike të Kosovës, delegacioni nga Bujanoci, pati kënaqësinë të vizitoj Kompaninë “Abi” në Prizren, për të cilët u servua një pritje e ngrohtë, vëllazërore, njofton jetapress.