Ballina Aktuale Nuk trembet ariu me shoshë!

Nuk trembet ariu me shoshë!

SHPËRNDAJE

Opinion

 

Në Komunën e Bujanocit, kanë filluar të ulen temperaturat e larta klimatike, e bashkë me to edhe ato politike.

Qarshija e Bujanocit, e cila deri dje ishte në fokus të këtyre temperaturave klimatiko-politike, ngadalë po i kthehet freskisë verore, me projekte të ndryshme në fushën e bujqësisë, bizneseve, infrastrukturës etj, të mbështetura nga qeverisja lokale, në prag të ardhjes së mërgimtarëve për pushime në vendlindje, të cilët edhe më shumë i sjellin gjallëri, freskime dhe hijeshi këtij vendbanimi të lashtë dardan.

Zhvillimi i këtyre aktiviteteve në shumë drejtime, i pushtetit vendor, po krijon kushte për të vënë në lëvizje shumë nisma qytetare, të ngelura nga mandati i kaluar për ta joshur bujqësinë e bizneset e vogla për një jetë më të mirë të qytetarëve tanë.

Politikat (jo) reale

Po këto zhvillime sa do modeste në shikim të parë, ato po ua ngushtojnë hapësirën gojëkëqinjve, manipulatorëve, shantazhuesve, sejrbazëve e telallve të ndryshëm, të cilët me vaj në buzë e shohin komunën e subvencioneve të Bujanocit. Këta sojsëz, të prirë për fabrikimin e gënjeshtrave dhe sajimin e aferave, as vet nuk po u besojnë “magjive” të zeza, të cilat, me kalimin e kohës, nuk po pijnë ujë, e madje po rrëshqasin si mbi lëvore të kungullit.

Ndjenja e shkatërrimit nga politikat e dështuara të ish pushtetit, ngadalë po ia lëshon vendin ndjenjës së zhvillimit dhe ndërtimit, e kjo u vërtetua me seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Bujanocit.

Edhe skeptikët më të mëdhenj u bindën se institucionet e ngritura me votën e qytetarëve, nuk shemben aq lehtë si kullat në erë. Kushdo e nga do, që vijnë iniciativa për të prishur koalicione qeverisëse, në stilin si ato të Preshevës, qoftë nga individë të caktuar, apo ndonjë krah opozitar, do të ngelin boshe, të zbehta e qyqare.

Bujanoci, nuk i duhet qytetarëve, me probleme në fushën e qeverisjes lokale, për inate partiake, grupore e klanore. Një komunë, si kjo e Bujanocit, duhet të vazhdojë kështu e konsoliduar drejt realizimit të projekteve me interes qytetar, duke thithur donacione edhe nga organizatat ndërkombëtare të pranishme në Luginë të Preshevës.

Shembulli i keq

Po qe se këto të mira, që vijnë me rrugë institucionale dhe profesionale, prishen për qejfin e opozitës dhe disa grupe të caktuara politike, Bujanocin do ta kemi të zhytur në ngërç politik e kolaps ekonomik. Merrene si shembull Preshevën, e cila po përballet me ngecje të mbarë në fushën e qeverisjes lokale si pasojë e prishje-ndreqjes së koalicioneve qeverisëse, të cilat po shoqërohen me mungesë të fondeve për realizimin e projekteve dhe disa probleme edhe më të thella nga fusha e sistemit gjyqësor e prokurorial.

Duke i marrë parasysh këto të këqija, që vijnë nga ndjenja e prishjes së koalicioneve qeverisëse, Bujanoci, po ec në binarë të duhur drejt një përparimi, të cilin do t’ia kenë lakmi edhe vendet me demokraci më të zhvilluara.

Një koalicion qeverisës i ndërtuara mbi baza dhe parime të shëndosha, nuk i friksohet llomotitjeve të zërave politikë propagandistikë, të ushqyer nga qarqe të ndryshme, për interesa të ulëta.

Nuk është thënë rastësisht nga këndi i popullit se: “Ariu nuk trembet me shoshë!”  /jetapress/