Ballina Aktuale BIPBM: Synetia gratis, projekt i një rëndësie të veçantë për ...

BIPBM: Synetia gratis, projekt i një rëndësie të veçantë për Luginën e Preshevës

SHPËRNDAJE

Bashkësia Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në bashkëpunim me Komunën e Osmangazit, nga Bursa, me sukses ka realizuar projektin e synetisë falas, të cilin e kanë kryer mjekët specialistë nga Turqia.

Ky donacion ka ardhur si rezultat i takimeve të shpeshta, që kanë zhvilluar krerët institucionalë të BIPBM, në krye me Myftiun Nexhmedin ef. Saqipi dhe bashkëpunëtorët e tij, për realizimin e projekteve vitale për rajonin e Luginës së Preshevës.

Njëri nga projektet e parë, të financuar nga Komuna e Osmangazit- Bursa – Turqi, komunë kjo tanimë e binjakëzuar me Komunën e Preshevës, tregon nismën e mbarë se projekte të ngjashme do të zhvillohen edhe në fushën e kulturës, infrastrukturës etj.

Portali “Jetapress”, mëson nga profesor Luzim Miftari, menaxher i këtij projekti, se në procesin e synetisë pa pagesë, janë përfshirë 85 fëmijë, prej të cilëve 50  nga Presheva dhe 35 nga Bujanoci.

Popullata shqiptare e Luginës së Preshevës e cila qind për qind i takon besimit Islam e ka mirëpritur një projekt të tillë të BIPBM dhe autoriteteve të Komunës së Osmangazit nga Bursa, duke e vlerësuar aktin e synetisë në traditën e myslimanit, si burimin e dytë të së Drejtës së Sheriatit, i cili është fjalë, veprim, gjykim dhe sjellje e Muhammedit (paqa qoftë mbi të), njofton jetapress.