Ballina Aktuale Preshevë: Ceremoni madhështore me rastin e përurimit të synetisë së fëmijëve

Preshevë: Ceremoni madhështore me rastin e përurimit të synetisë së fëmijëve

SHPËRNDAJE

Të dielën e 20 gushtit, në Shtëpinë e Kulturës, Preshevë, në mënyrë zyrtare është bërë përurimi i synetisë së fëmijëve nga Lugina e Preshevës, projekt ky i implementuar  nga Bashkësia Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të cilën e ka financuar  Komuna e Osman Gazit nga Brusa, Republika e Turqisë.

Në këtë manifestim solemn morën pjesë krerët e BIPBM, në krye me Myftiun Nexhmedin ef. Saqipi, përfaqësues të Komunës së Osman Gazit nga Brusa, si dhe pjesëmarrës të tjerë nga radhët e familjarëve, të cilët patën rastin t’i bëjnë synet fëmijët me ndihmën e këtij projekti të rëndësishëm për Luginën e Preshevës.

Në këtë ceremonial madhështor, Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, pasi falënderoi autoritetet turke për donacionin e ofruar, foli, gjithashtu edhe për rëndësinë e projektit të synetisë e cila u organizua pak ditë para nisjes së haxhilerëve për në Meke, e që të dyja lidhen ngushtë me të Drejtën e Sheriatit e Muhamedin a.s.

Për fund Myftiu Saqipi, ndau mirënjohje për donatorët dhe ata që kontribuan për mbarëvajtjen e realizimit të këtij projekti shumë të rëndësishëm për Luginën e Preshevës.

Madhështinë e këtij ceremoniali e shtoi programi i pasur me ilahi e lexim të Kuranit, nga ana e Hafëzit të popullarizuar nga Kosova, Egzon Ibrahimi, me zërin melodik të tij, mbushi plot shpirt e dashuri pjesëmarrësit e këtij manifestimi solemn, e veçmas të 85 prindërve dhe djemve të tyre, të cilët me sukses e kryen aktin e synetisë nga mjekë specialistë turk, duke u nderuar edhe me dhurata të veçanta nga financuesi i këtij projekti.

Koordinatori i këtij projektit, prof. Lulzim Miftari, nuk e fsheh dot gëzimin e madh që e përjetoi gjatë realizimit të projektit falas të synetisë, të sponzoruar nga donacioni i Komunës së Osman Gazit nga Brusa e Turqisë. Ai, në rrjetin e tij social shprehet plot admirim: “Të nderuar bashkëvendës të mi, kemi nderin dhe privilegjin ta ndajmë me juve së bashku këtë gëzim të fëmijëve tanë të Luginës së Preshevës, ajo çka u manifestua sot nuk gjejmë dot fjalë ta përshkruajmë këtë gëzim të madh, por lirisht mund të quhet si një projekt madhështor për Luginën tonë të dashur, njofton Portali “Jetapress”.