Ballina Aktuale “TIKA” turke, një mundësi e mirë e zhvillimit ekonomik në Luginë

“TIKA” turke, një mundësi e mirë e zhvillimit ekonomik në Luginë

SHPËRNDAJE

Lajme të mira nga Turqia

 

Këto ditë, të ngrohta gushti, ambasadori i Turqisë në Beograd,Tanju Bilgiç, pas vizitës që zhvilloi me kryetarin e Komunës së Bujanocit, agjendën e tij, protokolare e vazhdoi me Preshevën.

Në rezidencën e saj, zonja e parë e Preshevës, Ardita Sinani, me kënaqësinë më të madhe e priti ambasadorin turk, të akredituar në Beograd.

Zonja Ardita, gjatë bisedës me ambasadorin Bilgiç, e njoftoi në detaje lidhur me gjendjen e rëndë socio – ekonomike të qytetarëve të Komunës së Preshevës dhe më gjerë në rajon Lugine.

Temë diskutimi, gjithashtu, ishte edhe mundësia për një bashkëpunim me Agjensionin turk për zhvillim (TIKA), si mundësi shumë e mirë në zhvillimin ekonomik të komunës së Preshevës.

Ajo theksoi rëndësinë që interesimi i investitorëve potencial nga Turqia të mos shkojë përmes preferencave të Qeverisë së Serbisë, e cila çdoherë ata i drejton kah qytetet tjera, por që ata investitorë potencial të jenë në koordinim direkt mes ambasadës së Turqisë dhe udhëheqjes lokale të komunës së Preshevës.

Gjithashtu, iu rikujtua ambasadorit se pozita gjeo – strategjike e komunës së Preshevës është e volitshme, duke pasur parasysh se kufizohet edhe me Maqedoninë edhe me Kosovën, dhe se është komunë ndërkufitare. Gjithashtu fuqia punëtore e re, toka pjellore dhe fakti që përmes Preshevës kalon hekurudha, janë faktor tërheqës për çdo investitor potencial.

Ambasadori Bilgiç pasi u njoftua nga afër me gjendjen ekonomike të komunës së Preshevës, premtoi që do të jetë iniciatorë që përmes Qeverisë turke të ushtroj ndikimin e tij që në një të ardhme shumë të afërt të kemi një investitor nga Turqia, gjë që do të ndikonte në masë të madhe në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në parandalimin e migrimit të rinjve të komunës tonë, bënë të ditur Portali “Jetapress”.