Ballina Aktuale Vizita e ministrit të drejtësisë kosovare në Bujanoc

Vizita e ministrit të drejtësisë kosovare në Bujanoc

SHPËRNDAJE

Ministri i drejtësisë pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Abelard Tahiri, me bashkëpunëtorët e tij, qëndroi për një vizitë pune në Komunën e Bujanocit.

Kjo është vizita e parë e tij jashtë Kosovës, në kuadër të Qeverisë Haradinaj, e cila është zotuar se do të angazhohet për realizimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës, kryesisht të asaj kategorie e cila nuk e ka të rregulluar çështjen e dokumentacionit të identifikimit dhe lejën e qëndrimit.

Gjatë takimit midis delegacionit qeveritar të Kosovës dhe kabinetit të kryetarit të Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, u diskutua për situatën aktuale politike në Luginë të Preshevës, nevojën e angazhimit në aspektin e përkrahjeve politike dhe projekteve konkrete të Qeverisë së Kosovës, domosdoshmërinë e diskutimit të drejtave të shqiptarëve edhe në nivel të Seancës së dy Qeverive (Prishtinë, Tiranë), sidomos në dialogun e ardhshëm të Brukselit.

Pas takimit, në një konferencë për media, kryetari Shaip Kamberi, theksoi se: “Me ministrin Tahiri, biseduam për situatën e përgjithshme politike në Komunën  e Bujanocit, dhe për temat jetike që ballafaqohen qytetarët shqiptar të Bujanocit, dhe në përgjithësi të Luginës së Preshevës. Kryetari Kamberi, gjithashtu, potencoi edhe një herë, se çështja e nostrifikimit të diplomave dhe e njohjes së dokumentacionit në tërësi, nga të cilat varen të drejtat elementare të qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, është e rëndësisë së veçantë.

Ndërkaq, Ministrit Tahiri, gjatë këtij takimi, ka shprehur vullnetin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe komunave të Luginës së Preshevës, me një qasje aktive dhe të konkretizuar me hapa të matshëm, veçmas në fushat që lidhen me mirëqenien e qytetarëve. Ai, pas një vizite që i bëri një familje shqiptare në Bujanoc, u shpreh se i ka inkurajuar qytetarët e kësaj ane që të qëndrojnë në vendbanimet e tyre dhe të mos shpërngulen, duke i siguruar se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të tregojë përkushtim për ta”.

Delegacioni i Kosovës i shoqëruar edhe nga Valdet Sadiku, nga zyra ndërlidhëse në Beograd, qëndruan edhe për një vizitë në Këshillin Kombëtar Shqiptar.

Jetapress, mëson se, sot, më 19 tetor, në selinë e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Beograd, para 15 ambasadorëve, kryetari Shaip Kamberi do të referoj për gjendjen, problemet, sfidat dhe ngecjet e procesit politik në Bujanoc dhe Luginë të Preshevës. Nevoja e prezencës më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare në Luginë të Preshevës, vazhdon të mbetet angazhimi prioritar i kryetarit Kamberi, bën të ditur jetapress..