Ballina Aktuale Lugina e Preshevës, në fokus të ambasadorëve “miqtë e jugut”, në Beograd

Lugina e Preshevës, në fokus të ambasadorëve “miqtë e jugut”, në Beograd

SHPËRNDAJE

Ambasada e Britanisë së Madhe e akredituar në Beograd, ishte nikoqire e takimit të ambasadorëve “miqtë e jugut”, në të cilën morën pjesë Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, z/kryetarja e Komunës së Medvegjës Leme Xhema dhe kryetari i organit të përkohshëm në Preshevë, Shqipërim Arifi.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, në këtë takim të nivelit të lartë ndërkombëtarë, ka paraqitur gjendjen politike në Luginë të Preshevës dhe kërkesat e shqiptarëve drejtuar autoriteteve në Beograd, të cilat, mjerisht janë heshtur karshi premtimeve të dhëna.

Përfaqësimi në institucionet publike, çështjet e arsimit dhe njohja e diplomave, eliminimi i pengesave në privatizim, ishin disa nga temat, për të cilat Kamberi kërkoi të gjendet zgjidhje. Prezenca e vazhdueshme e Bashkësisë ndërkombëtare në Luginë të Preshevës, nga Kamberi u cilësua si nevoja më elementare për ta ndikuar qeverinë në Beograd që të nisë gjetjen e zgjidhjeve për këto tema.

Gjithashtu, bëhet e ditur se  baza e kërkesave të shqiptarëve, potencoi me këtë rast Kamberi, është Plani 7 pikësh, realizimi i të cilit sjell stabilitet politik dhe ekonomik në rajonin e varfëruar të Luginës së Preshevës.

Në takimin me ambasadorët e shteteve të ndryshme të akredituar në Beograd, përveç nikoqirit, Ambasadorit Denis Keef, ishin prezentë edhe ambasadori i SHBA, Norvegjisë, Belgjikës, Holandës, shefi i misionit të OSBE-së, pastaj përfaqësues nga Ambasada Gjermanisë, zvicerane, turke, italiane dhe disa ambasada tjera, njofton jetapress.