Ballina Lajme Nga Vendi Godet Shaip Kamberi: As “Surduliçka veza”, nuk ka për ta shpëtuar Shqipërim...

Godet Shaip Kamberi: As “Surduliçka veza”, nuk ka për ta shpëtuar Shqipërim Arifin!

SHPËRNDAJE

“Për mua kjo është një sinjal i qartë se je në panik, se po të ngulfat ndjenja e fajit e “Surduliçka vezës”, se po i frikësohesh përballjes në ringun politik me një zonjë që ka dëshmuar se ka guxim me u përballë me politikën dhe politik-bërësit si ti”, i çon selam Kryetari i Komunës së Bujanocit dhe nënkryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, në një letërkëmbim Shqipërim Arifit, lidhur me një foto të publikuar gjatë takimit që kishin në ambasadën e Britanisë së Madhe në Beograd.

 

“Jetapress” e jep të plotë letrën e Shaip Kamberit:

 

I nderuari Shqipërim Arifi,

Dy ditë me radhë duke përdorur metoda të fabrikimit të të vërtetave, në Facebook, qoftë përmes deklarimeve personale, qoftë përmes sponzorimeve të “miqve” , po mundohesh me krijua një opinion të rrejshëm për veten dhe “ndryshimin” që po i sjell Preshevës, në prag të caktimit të datës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale në këtë komunë.

Po flet për “bujën e madhe” që na paska bërë në “takimin e miqve”, edhe pse nga ajo që dëgjova vetë, si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë, mu bë e qartë se për TY nuk janë problem të drejtat por “zgjidhja e çështjeve praktike”, nuk janë problem diplomat por ujësjellësi, duke fshehur të vërtetën se ujësjellësi është problem që varet nga komuna, e që për 11 muaj sa ishe kryetar nuk bëre gjë për ta zgjidhur këtë problem.

Përshtypja ime është se si “reformator” nga Gjermania disi i ke dhënë vetes obligim të madh me shfajësua Serbinë për gjithë diskriminimin që, me decenie, po i bën popullatës shqiptare.

Më detyrove me reagua për shkak se me marketingun tënd përçarës po falsifikon dhe keqpërdorë detaje të rastësishme nga takimi i “Miqve”. Konkret është fjala për këtë foto të rastit para Ambasadës Britanike të cilën po e shpërndanë përmes miqve të tu në Facebook, e ndër duar edhe me Viber dhe Whats up.

Nëse vërtetë e çmon prezencën time në atë foto, është dashur që vetë ta publikosh, por, kam përshtypjen se me dëshirën dhe idenë tënde djallëzore për të nxitur përçarje brenda kampit të PVD-së ia dha “miqve” ta shpërndajnë atë foto.

Reagova në radhë të parë për ta shuar TY çdo ILUZION që mund ta kesh krijuar se në kampin e PVD-së mund të nxitësh përçarje me tentativa mjerane. Sa e ultë është kjo o Shqipërim Arifi. Sidomos për një “mysliman të sinqertë” çfarë pretendon të na paraqitesh.

Për mua kjo që ke bërë, jo që do të mund të të ndihmojë, për mua kjo është një sinjal i qartë se je në panik, se po të ngulfat ndjenja e fajit e “Surduliçka vezës”, se po i fiksohesh përballjes në ringun politik me një zonjë që ka dëshmuar se ka guxim me u përballë me politikën dhe politik-bërësit si ti.

Prandaj, shpëtimin po e kërkon në këto të rëna nën brez, lojëra përçarëse, lojëra djallëzore, të cilat, në fund do të të diskualifikojnë vetë ty.

Sa për mua s’ka problem, unë nuk e kam problem se ku dhe me kend gjendem, se jam vet apo jam me shokë, se jam në Bujanoc apo Beograd, se jam në qeveri apo nëpër ambasada, pasi që qëndrimet e mia politike i kam kristal të pastra.

Këto qëndrime dhe pikëpamje janë formuar në një proces të sfidave të shumta nëpër të cilat kam kapërcyer bashkë me bashkëkombësit e mi. Unë nuk jam parashutist i dështuar i Evropës.

Assesi, as unë as PVD, nuk i frikësohet ndikimit të “erëzave të ndryshimeve”, qoftë edhe kur ato vijnë nga pazaret egjiptiane.

Nuk frikësohem se qëndrimet e mia politike mund t’i ndryshojë një fotografi rasti, nuk frikësoj që mund t’i ndryshosh TI, aq më pak miqësitë nga Surdulica, e bile as shefi i tij i madh.

Me beteja të këtilla të ulëta kam një jetë që përballem, pavarësisht vështirësive që me kanë sjellë në jetë, gjithmonë, ama bash gjithmonë kam dalë fitimtarë.

Kam dalë fitimtarë sepse përherë kam qenë parimorë, bile edhe ndaj intrigave edhe ndaj intrigantëve.

Do ta kesh rastin të bindesh edhe ti për orientimin tim politik të qartë.

Shumë shpejt bile, në fushatën e ardhshme në Preshevë. Aty do të jem.

Me respekt,
Shaip Kamberi