Ballina Aktuale Shaip Kamberi: “Vizita e ambasadorëve të huaj në Bujanoc, shumë domethënëse për...

Shaip Kamberi: “Vizita e ambasadorëve të huaj në Bujanoc, shumë domethënëse për komunën tonë”

SHPËRNDAJE

Në një konferencë me gazetarë, në rezidencën e tij, njeriu i parë i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, foli për rolin dhe rëndësinë e vizitave të shumta shtetare e diplomatike, të zhvilluara gjatë këtij viti në këtë komunë, nga më atraktivet të rajonit të Luginës së Preshevës.

Për kryetarin Kamberi, një nga vizitat më të veçanta, është ajo e presidentit të Shqipërisë, Bujar  Nishani, e zhvilluar, më 7 mars në Bujanoc. Gjithashtu, Kamberi, nuk la pa përmendur edhe vizitat e ambasadorëve të huaj në Bujanoc, të  cilat i cilëson shumë domethënëse për komunën tonë.

E një rëndësie të veçantë për kryetarin Kamberi, është edhe vizita e Ministrit të Drejtësisë të Kosovës, Abelard Tahiri, në Bujanoc, dhe ndihma e mirëseardhur e Qeverisë së Kosovë, në vlerë prej 40 mijë euro për riparimin e shkollës fillore në Samolicë.

Si një ngjarje politike e rëndësisë së veçantë për  z. Kamberi, është pjesëmarrja e tij në takimin “Miqtë e jugut”, në Beograd, në të cilin merrnin pjesë me dhjetëra ambasadorë të shteteve të huaja të akredituara në Serbi.

Duke folur për buxhetin komunal dhe të mirat e tij për qytetarët e Komunës së Bujanocit, kryetari Kamberi, theksoi se nga arka buxhetore e kësaj komune janë ndarë grante dedikuar drejtpërdrejtë qytetarëve, nëpërmjet konkurseve  dhe subvencioneve të ndryshme.

“Kemi ndarë 32 milionë dinarë për subvencione për bujqësi, si një kulturë ekonomike që meriton të zhvillohet. Po ashtu, kemi ndarë edhe 11.6 milionë dinarë për subvencionimin e bizneseve të vogla në Komunën e Bujanocit” – theksoi Kamberi, në konferencën me gazetarë. Në këtë drejtim, ai, përmendi edhe 25milionë dinarë të ndara për praktikën profesionale, 10 milionë dinarë për sport, 7 milionë dinarë për informim, 2 milion dinarë për OJQ-të, e të ndryshme, njofton jetapress.