Ballina Aktuale Ardita Sinani, në takimin e Aleancës Kosovare të Biznesit, kërkon hapjen e...

Ardita Sinani, në takimin e Aleancës Kosovare të Biznesit, kërkon hapjen e ndonjë sektori prodhues në Komunën e Preshevës

SHPËRNDAJE

Ish kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, mori pjesë aktive  në “Javën e biznesit kosovar”, të organizuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit, me rastin e shënimit të 15 vjetorit të themelimit të saj.

Në këtë forum të nivelit të lartë në shkallë republike, në të cilin ishin të pranishëm kryetari i AKB, Agim Shahini, kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, z. Besim Beqaj, zëvendëskryeministri njëherit edhe Ministri i Diasporës dhe Investimeve strategjike, z. Dardan Gashi, zonja Ardita Sinani, ishte enkas e ftuar nga Lugina e Preshevës.

Në një fjalim të rastit, që pati zonja Ardita, inkurajoi përfaqësuesit e bizneseve kosovare në projektin për konsumimin e prodhimeve vendore nga Lugina e Preshevës.

Ndër të tjera, ajo foli edhe për vështirësitë që hasin prodhuesit dhe ndërmarrësit e Luginës së Preshevës në plasimin e produkteve të tyre, sidomos në Kosovë, për shkak të politikave diskriminuese të shtetit serb.

“ I kërkova Kryeministrit të Republikës së Kosovës, anëtarëve të Qeverisë si dhe përfaqësuesëve të bizneseve nga Kosova, që edhe prodhuesit e ndërmarrësit e Luginës së Preshevës të trajtohen si prodhues vendorë të Kosovës, pikërisht për shkak të kësaj politike diskriminuese të Qeverisë serbe”, u shpreh zonja Ardita.

Për shkak të gjendjes shumë të vështirë socio – ekonomike, gjithashtu, zonja Ardita kërkoi që Republika e Kosovës të shqyrtojë seriozisht mundësinë e hapjes së ndonjë sektori prodhues në Komunën e Preshevës, për shkak se Qeveria serbe investitorët potencial të huaj po i destinon në qendrat e banuara me serb, e asnjëherë në Luginë të Preshevës, njofton jetapress.