Ballina Opinione PLANI AKSIONAL PËR DËBIMIN E SHQIPTARËVE

PLANI AKSIONAL PËR DËBIMIN E SHQIPTARËVE

SHPËRNDAJE

Shkruan: Adnan Asllani

Nuk është diçka e panjohur: shteti serb në periudha të ndryshme historike ka hartuar plane e doktrina të cilat edhe i ka vënë në zbatim me qëllim të zgjerimit të territorit dhe shkatërrimit të qenies shqiptare në ato troje. Gjenocidi ndaj shqiptarëve, si prioritet i strukturave shtetërore serbe, varësisht nga raporti i forcave në Ballkan e më gjerë, ka ndryshuar pamjen e tij. Nëse në të kaluarën është zbatuar një gjenocid ndaj shqiptarëve i shoqëruar me vrasje djegie e masakra, aktualisht doktrinat e vjetra janë përpunuar e janë rafinuar dhe ka filluar të zbatohet i ashtuquajturi gjenocidi i ftohtë.

Janë të njohura doktrinat serbe, të cilat kanë përshkruar në hollësi se si të arrihet qëllimi i shkatërrimit të qenies shqiptare në territoret ku Serbia i ka pushtuar me luftë e më pas i ka fituar nëpër konferenca ndërkombëtare. Më të njohurat janë planet e Ilija Garashaninit (1812-1874), Vasa Çubrilloviqit (1897-1990), Ivo Andriqit (1892-1975) e deri te programi i Akademisë Serbe të Shkencave (1988).

Që të gjitha këto plane kanë pasur një emërues të përbashkët, zgjerimin e territorit në të mirë të shtetit serb, si dhe shkatërrimin e qenies shqiptare, ndonëse taktikat e zbatimit janë rafinuar varësisht nga rrethanat e kohës.

Shembull konkret është ai i fundviteve të shekullit të 19-të, kur me sukses u zbatua gjenocidi ndaj shqiptarëve të Vranjës, Leskocit, Nishit, Prokuples e Toplicës, që për pasojë pati shpopullimin e atyre trevave nga një territor ku shqiptarët ishin shumicë dhe autoktonë, aty pra ku kishin jetuar me shekuj. Tmerri i përjetuar nga terrori, masakrat e djegiet e pronës ka lënë gjurmë deri edhe në ditët e sotme.

E njëjta teori u zbatua edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, si dhe para e pas Luftës së Dytë Botërore. Duke ua pamundësuar shqiptarëve jetën në trojet e veta, përmes terrorit policor e ushtarak në njërën anë dhe duke ua ofruar si zgjidhje ikjen për në shkretëtirat e Anadollit që propagandohej si zgjidhje përrallore nga agjitatorët e klerikët e shitur. Paradoks ky i llojit të vet, kur njerëzit e zotit vihen në shërbim të gjenocidit!

Gjithçka ishte në sinkron të plotë me planet e publikuara dhe ato të fshehta për shpërnguljen e shqiptarëve.

Pavarësisht dhunës, terrorit dhe metodave represive gjithmonë ka pasur njerëz që kanë rezistuar, qoftë dhe duke paguar me jetë këtë spastrim etnik dhe shtrirje hegjemoniste serbe, e cila nuk do të ndalonte aty ku është sot, po të mos ndalej me rezistencë!

Lufta e Kosovës në fundshekullin e kaluar shpërfaqi më së miri qëllimin e padronëve të Beogradit.

Operacioni “Patkoi”, që nuk ishte një plan i hartuar aty për aty për të frenuar rezistencën shqiptare, bart me vete doktrinën e rafinuar çubrilloviqiane, se si Kosova të zbrazej nga shqiptarët e ajo të popullohej me popullsi serbe ose malazeze. Si vazhdimësi e planeve të mëhershme, operacioni “Patkoi” u përshtat për rrethanat e reja të kohës dhe u vu në zbatim nga pushteti i Beogradit.

Të kujtojmë këtu se përveç terrorizimit e masakrimit sistematik të shqiptarëve, nga strukturat shtetërore në njërën anë, filloi ndërtimi i shtëpive për refugjatët nga Kroacia e Bosnja të cilëve shteti u fali shtëpi, tokë, punësim e pensione. Përshkallëzimi i dhunës shtetërore, sidomos gjatë viteve 1997-1999, që shoqërohej me djegien e shtëpive, vrasjet në masë të civilëve, dëbimin e shqiptarëve pa të drejtë kthimi, me ç’rast pasaportat e letërnjoftimet e tyre shqyheshin në kufi, përbën thelbin e doktrinës gjenocidare serbe.

Do të ishte naivitet të mendohet se sot shteti serb ka hequr dorë nga këto plane. Sidomos kur kihet parasysh se shteti serb asnjëherë nuk u thirr në përgjegjësi nga asnjë gjykatë ndërkombëtare dhe se atje akoma vazhdojnë të mbajnë pushtetin pikërisht ato forca politike, që kanë zbatuar doktrinat gjenocidare ndaj shqiptarëve, por edhe të kombeve tjera përreth.

Vuçiqi e Daçiqi sot janë eksponentët kryesorë të shtetit serb. Derisa Vuçiqi njihej për qëndrimin tejet radikal ndaj shqiptarëve e nuk po kënaqej me veprimet e Millosheviqit, Daçiqi ishte zëdhënësi zyrtar i Millosheviqit!

Ndërgjegjësimi i shtetit dhe i opinionit serb akoma nuk ka ndodhur e as pritet të ndodhë para se strukturat ndërkombëtare që janë prezente në Ballkan, të ndërgjegjësohen se këtu ekziston një shtet i cili është krijuar e zgjeruar në sajë të gjenocidit kundrejt popujve tjerë. Sa më parë që e kuptojnë, aq më parë paqja do të vendoset në këtë hapësirë të trazuar!

Fatmirësisht, plani i Serbisë në spastrimin etnik të Kosovës ka dështuar, kjo falë kryengritjes së shqiptarëve të udhëhequr nga UÇK-ja, si dhe intervenimit të forcave të NATO-s. Ajo në fakt, në pamundësi të intervenojë në Kosovë, përpjekjet e veta tani i ka koncentruar në Luginën e Preshevës, atje ku shqiptarët autoktonë të këtij rajoni përbëjnë shumicën absolute.

Natyrisht, taktika e dëbimit të shqiptarëve ka ndryshuar, meqenëse Serbia nuk mund t’i ndërmarrë aktualisht hapat që ka ndërmarrë në Kosovë në fundshekullin e kaluar.

Tani ajo këtë taktikë të re e ka koncentruar në dy faza që gërshetohen mes vete.

Për shkak se ajo në njërën anë dëshiron të përfitojë sa më shumë nga fondet e Bashkimit Evropian, duke e deklaruar sipërfaqësisht orientimin e saj kah shtetet perëndimore dhe integrimet në BE, në anën tjetër ajo në fakt mbetet një mashë në duart e një dinozauri shtypës të popujve, Rusisë. Kjo e dëshmon edhe me takimin e fundit Viçiq-Putin ku pika e parë e marrëveshjes katër pikëshe është anti-Kosovë!

Faza e parë e kësaj taktike të re gjenocidare, të përshtatur në kohë e hapësirë, është pamundësimi i jetës së qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës.

Përndjekja e veprimtarëve politikë, si dhe pjesëmarrësve të luftërave në Kosovë, Maqedoni e sidomos në Luginë të Preshevës. Mosinvestimi në ekonomi, infrastrukturë, arsim kulturë e shëndetësi, etj., janë hapat e parë për të përgatitur eksodin e heshtur të shqiptarëve.

Kështu në formën direkte, duke ua pamundësuar jetën në rajon, sjell si rezultat largimin e kuadrove akademike dhe të qytetarëve të thjeshtë, të cilët, në mungesë perspektive e për të siguruar kafshatën e gojës gjejnë vende pune në Kosovë e jashtë vendit.

Kjo taktikë që tashmë e sa vite po gjen zbatim, sa shkon e përshkallëzohet.

Të kujtojmë gjithashtu se Presheva, si qyteti me numrin më të madh të shqiptarëve atje, nuk e ka së paku një spital ku do të shërbeheshin qytetarët e atij vendi. Ata janë të detyruar që për shërbimet mjekësore të udhëtojnë në qytetin e Vranjës në të cilin flitet vetëm serbisht dhe ku ata janë të detyruar të korruptojnë mjekët me para të majme në mënyrë që të kenë një kujdes sadopak më njerëzor.

Mungesa e një spitali në Luginë të Preshevës nuk është se do të ishte i pamundur për shkak të mungesës së kuadrit mjekësor, sepse kuadro të tilla ka mjaftueshëm në Luginën e Preshevës, por pikërisht për t’ua vështirësuar jetën sa më shumë që ata qytetarë atje të jenë të detyruar të kërkojnë jetë më të mirë qoftë në Kosovë apo edhe jashtë vendit.

Investimet e mëdha nuk zënë vend në këtë rajon, sepse ato orientohen në rajonet tjera të brendshme të Serbisë. Në fakt nuk ndodhin as investime minimale në industri, infrastrukturë dhe shëndetësi e të mos flasim në kulturë e arsim.

Kuadrot profesionale që ka Presheva tashmë shumica e tyre kanë ikur nga atje. Shumë bankierë të mirë, mjekë të mirë, juristë, historianë, dramaturgë, shkrimtarë e gazetarë i kanë lënë vatrat e veta e së bashku me familjen kanë gjetur strehim në Kosovë ose në shtetet e Perëndimit. Mund të gjesh shumë pak të rinj që nuk duan të largohen prej andej. Një numër i madh i tyre tashmë kanë marrë rrugën e i kanë thënë lamtumirë atdheut të tyre. Dhe kështu, çdo ditë e më shumë, sheh shtëpi të boshatisura si pasojë e emigrimit për mungesë perspektive.

Shembull tipik është Medvegja, e cila tashmë gati është zbrazur nga banorët shqiptarë.

Fat i njëjtë, sipas këtij trendi do ta përcjellë edhe Bujanocin e Preshevën.

Faza e dytë që tashmë pritet të fillojë është kolonizimi i atyre trojeve me popullsi serbe. Natyrisht edhe kjo në formën më të qetë të mundshme, krejt i pavërejtur.

Invadimi nuk do të bëhet në formën klasike siç kemi lexuar nëpër librat e historisë, por në një formë të re tejet perfide. Kjo do të përfshijë faza të ndryshme të invadimit të heshtur duke synuar ndryshimin e strukturës etnike për çdo vit ndoshta me 0,2 deri në 1% varësisht nga shkalla e vërejtshmërisë së saj dhe nga shkalla e kundërshtimit të mundshëm.

Kjo fazë fillon me miratimin e vetë shqiptarëve, ashtu siç ka ndodhur së fundmi në Preshevë, ku politikanë të porositur me agjenda të fshehta, ose edhe me njerëz të painformuar, miratojnë të ashtuquajturin “Plani Aksional për Avancimin e Pozitës së Refugjatëve”.

Ky plan që kamuflohet sikur qenka fjala për vendosjen e refugjatëve sirianë apo të vendeve tjera të lindjes, krejt hapur përshkruan se fjala është edhe për vendosjen e refugjatëve që janë larguar nga vendet fqinje të Serbisë (Kroacia e Bosnja) si dhe nga brendësia e territorit të Serbisë që do të thotë nga Kosova, meqenëse Serbia Kosovën e konsideron territor të vetin.

Fundja edhe mund të vendosen refugjatë që janë me prejardhje nga vendet aziatike ose afrikane, për shtetin serb është me rëndësi që numri i shqiptarëve të shkojë duke rënë e numri i të tjerëve të rritet. Këta madje do të pranoheshin më lehtë nga popullsia vendase, pasi do të konsiderohej se ata janë vetëm përkohësisht aty. Me kohën ata refugjatë do të marrin shtetësinë serbe dhe do të jenë qytetarë me të drejta të barabarta.

Kështu shteti serb në njërën anë do të vazhdojë me zbatimin e planit ogurzi për ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë e në anën tjetër do të paraqitet para botës si një vend humanitar që ka pranuar kaq e kaq refugjatë.

Pranimi i refugjatëve, natyrisht se është një vepër humane, sikur kjo të mos ishte pjesë e një skenari gjenocidar!

Si duket, ajo këtë plan të rafinuar nuk e ka menduar ta zbatojë pa miratimin e strukturave “udhëheqëse” të shqiptarëve të cilët nën petkun e ndryshimit i japin mundësinë Serbisë që të arrijë qëllimin e veta afatgjata të spastrimit etnik të territorit.

Në dokumentin e miratuar nga Kuvendi Komunal i Preshevës, që aktualisht udhëhiqet nga një kryetar kontrovers, thuhet në mënyrë eksplicite se fjala është për vendosjen e refugjatëve që janë larguar nga shtetet fqinje, si dhe nga brendësia e territorit. Kësisoj, komuna e cila nuk po mund ta mbajë veten për shkak të varfërisë e lënies anash nga shteti, do të jetë e detyruar që atyre refugjatëve t’u sigurojë vendbanim e madje edhe punësim.

Në fakt ky plan aksional për përmirësimin e pozitës së refugjatëve nuk është gjë tjetër, por një plani aksional për dëbimin e shqiptarëve!

Se si do të përfundojë kjo dramë me fatin e një pjesë të çmuar ku banojnë shqiptarët autoktonë, varet shumë edhe si sillen forcat politike atje.

Duhet të përfundojë logjika e ekzistimit të shumë partive politike në formën një mëhallë – një parti dhe të gjitha ato forca progresive që për synim kanë zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës, si dhe ruajtjen e substancës kombëtare të shqiptarëve atje, duhet të bashkohen në platformën e përbashkët kombëtare.

Rreziku që bart me vete shkapërderdhja në shumë parti paraqet domosdo një shans që në ballë të dalë ndonjë parti tjetër e mbështetur fshehurazi nga kuzhinat e Beogradit, e cila do të shfrytëzojë pikërisht këto divergjenca dhe të vendosë për fatin e keq të shqiptarëve./ zëri.info/