Ballina Lajme Nga Vendi PDSH – fton shqiptarët e Luginës së Preshevës, të jenë syçelë karshi...

PDSH – fton shqiptarët e Luginës së Preshevës, të jenë syçelë karshi provokimeve serbe

SHPËRNDAJE

Kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare, me seli në Preshevë, në mbledhjen e mbajtur, më 27 mars 2018, shqyrtoi situatën aktuale politike dhe të sigurisë e cila po zhvillohet në vend dhe rajon.

Pas debateve dhe diskutimeve të zhvilluara, kryesia e PDSH-së, e udhëhequr nga lideri i saj Dr.sc. Ragmi Mustafa, doli me një kumtesë për opinion përmes të cilës kritikon autoritetet serbe të Komunës së Medvegjës, të cilat ndaluan, më 24 mars 2018, Teatrin e  Kukullave “Xixëllonjat e Lezhës”, për të zhvilluar aktivitete në  kuadër të festimit të vitit mbarëkombëtar të Skenderbeut.

Sipas PDSH-së kjo sjellje e autoriteteve serbe për Partinë Demokratike Shqiptare, është e papranueshme dhe nuk i kontribuon paqes e stabilitetit në Luginë të Preshevës.

Ndërsa sa i përket ngjarjeve të datës 26 mars 2018, në veri të Republikës së Kosovës, PDSH, fton shqiptarët e Luginës së Preshevës të jenë syçelë dhe të mos të bien pre e provokimeve eventuale të organeve shtetërore serbe për të nxitur situatë të padëshirueshme që rrezikojnë stabilitetin rajonal.

Partia Demokratike Shqiptare, sipas kësaj Kumtese për opinion,  u jep mbështetje të plotë të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës në ushtrimin e sovranitetit shtetëror si dhe në zbatimin e marrëveshjeve së arritur në Bruksel për vizitat e zyrtarëve shtetëror serb.

PDSH, gjithashtu,  i dënon provokimet e vazhdueshme të qeverisë së Serbisë dhe sidomos thirrjen e liderit serb të Bosnjës, i cili me gjuhë fyese dhe të urrejtjes bën thirrje për arrestime të shqiptarëve që gjenden në serbi në shenjë hakmarrjeje, prandaj fton komunitetin ndërkombëtar Brukselin zyrtar dhe SHBA-të që të shtojnë presionin e tyre politik ndaj Beogradit zyrtar për qasjen transparente e demokratike ndaj zgjidhjes së problemeve edhe në raport me shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke implementuar principin e reciprocitetit.

Në këto situata të rënda politike, Partia Demokratike Shqiptare bën thirrje subjekteve politike shqiptare për mbajtjen e seancës së Kuvendit të Këshilltarëve shqiptar të Luginës së Preshevës për të sjell vendime kruciale për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke fuqizuar dhe sinkronizuar dokumentet e mëhershme të miratuara në këtë organ të shqiptarëve të Luginës së Preshevës përfshi dhe asociacionin e komunave me shumicë shqiptare autoktonë në Luginë të Preshevës, thuhet në Kumtesën e PDSH-së, të nënshkruar nga kryetari i saj Dr.sc. Ragmi Mustafa./jetapress/