Ballina Aktuale TRISHTIMI I QUAJTUR MOBILIZIM

TRISHTIMI I QUAJTUR MOBILIZIM

SHPËRNDAJE
OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Kujtesa që nuk zbehet

 

Për Tërnocin dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, 23 e 24 prilli, i vitit 1999, janë datat më të rënda në kalendarin e tyre historik.

Gjatë prillit, të vitit 1999, në kohën e bombardimeve të NATO-së, ndaj ish Jugosllavisë, forcat e kombinuara serbe detyruan dhunshëm  banorët e Tërnocit, t’i lëshojnë shtëpitë e tyre, për tu vendosur mbi fshat te vendi i quajtur “Te Zidi”, kinse për t’i bërë një kontrollim në kërkim të armëve, drogës, ushtarëve të UÇK-së.

Në këtë aksion famëkeq nuk u kursyen gratë, fëmijët, pleqtë e të sëmurët, duke ecur këmbë deri te vendi i grumbullimit, për mbetur disa orë në shi dhe në ftohët.

Kjo ditë trishtimi për tërnocasit dhe kosovarët, që kishin zënë strehë shpëtimi në këtë fshat, ishte një nga ditët më të rënda të tyre, të cilën nuk e harrojnë kurrë.

Kësaj date të tmerrshme iu shtua edhe ajo e 24 prillit, një nga datat më provokative të ushtrisë serbe e cila kishte dërguar ftesa të rinjve dhe të moshuarve për mobilizim ushtarak.

Para 19 vjetësh, pikërisht, më 24 prill të vitit 1999, në Tërnoc të Bujanocit, u shpërndanë ftesat për mobilizim të dhunshëm të shqiptarëve nga ana e ish ushtrisë jugosllave.

Ky ishte provokimi i dytë nga më të rëndit pas atij të dëbimit të tërnocasve në periferi të fshatit, më 23 prill të vitit 1999.

Në kohën kur gjysma e Preshevës ishte e boshatisur nga shqiptarët, po ashtu edhe Malësia e Bujanocit dhe Medvegja, regjimi i atëhershëm i Millosheviqit, përdori një formë tjetër të presionit për ta spastruar nga shqiptarët, këtë vendbanim nga më të mëdhenjtë në rajon.

Ata pak shqiptarë që kishin mbetur nga Presheva dhe Bujanoci, sytë i kishin nga Tërnoci a do të marrë rrugën e shpërnguljes për në Maqedoni. Ndërsa serbët ekstremistë të përfshirë në njësitë paramlitare, mezi prisnin shpërnguljen e tërnocasve për ta bastisur dhe plaçkitur fshatin, të përmendur për pasuri.

Në momentet më kritike doli në sipërfaqe Nexhmedin Saqipi me shumë të rinj dhe iu përgjigj ftesës për mobilizim. Ky ishte një nga aktet më heroike të këtyre njerëzve që i thanë Stop shpërnguljes dhe ndërruan historinë e kobshme, që ishte shkruar për Tërnocin dhe shqiptarët përreth.

Mobilizimi ua prishi planet ekstremistëve serbë, të cilët e dëshironin Tërnocin pa shqiptarë si dhe gjithë Luginën një zonë të spastruar etnikisht.

“Për ta pranuar mobilizimin, është dashur shumë guxim, maturi, këmbëngulësi, besim, për t’u bërë “kurban i popullit” për ta shpëtuar popullatën nga eksodi i vërtetë. Më 24 prill 1999, ditë e shtunë, marrim lajmin se janë të ftuar 150 të rinj vetëm nga Tërnoci, Komuna e Bujanocit, me ftesë për të mobilizuar në radhën e Ushtrisë Jugosllave, tha njeriu i cili i priu mobilizimit Nexhmedin Saqipi.
Në vazhdim z. Saqipi, theksoi se “Ftesa për mobilizim erdhi pikërisht pasi Ushtria Jugosllave u vërtetua se Tërnoci ishte i palëkundur në rrugën e qëndresës për t’i mos i braktisur vatrat stërgjyshore. Këtë stoicizëm qytetarët tërnocas e treguan edhe pas një varg provokimesh nga radhët e pushtetit ushtarak qoftë përmes kërcënimeve, bastisjeve, qoftë përmes nxjerrjes me dhunë nga shtëpitë dhe dërgimi mbi fshat te vendi i quajtur “te Muri”.

Gjithashtu, Nexhmedin Saqipi, duke evokuar ato momente shumë të vështira për Tërnocin dhe tërnocasit, thotë se “atë ditë ka qenë diçka e jashtëzakonshme ma mirë me thëne mrekulli e Zotit, dhe për këtë duhet të mbetet dhe të ruhet si kujtim në historinë jo vetëm të Tërnocit po në kujtim të Luginës Shqiptarisë e njerëzimit. Andaj, gjitha këto përjetime dhe sakrifica, trauma që përjetuan qytetarët e Tërnocit, nuk guxojnë të kalojnë në harresë, por duhet të përkujtohen dhe të shërbejnë si udhërrëfyes për brezat e ardhshëm që do ta ndërtojnë ardhmërinë në paqe, siguri dhe liri./jetapress/