Ballina Aktuale Pushteti dhe mediet

Pushteti dhe mediet

SHPËRNDAJE

Një pushtet nuk mund ta bëjë jetën e vet politike pa ndihmën e medieve. Njohurit për zhvillimin e jetës sonë politike dhe ekonomike i fitojmë përmes mjeteve të informimit: televizionit, radios, portaleve dhe gazetave. Prandaj, mediumet luajnë një rol shumë të rëndësishëm në demokratizimin e vendit.

Komuna është shtëpia jonë e përbashkët. Për ta shtrirë pushtetin sa më afër qytetarëve, qeverisja jonë lokale duhet të jetë transparente dhe e hapur ndaj medieve.

Partitë politike e bëjnë punën publike, ndërsa mediumet janë „shërbëtorja e politikës“.

Të gjithë pothuajse sot përmes mediumeve: politika, biznesi, kultura etj. i shesin prodhimet e veta. Përpjekjet për të pasur një monopol ndaj mjeteve të informimit, është një ves i vjetër.

 

Sensi kritik

Mediet mund të merren me politikë, por nuk mund të lihen të totalizohen nga politika dhe të kthehen në mjete ideologjike. Sensi kritik i medieve dhe pavarësia e tyre janë një pasuri e madhe për rritjen e një shoqërie dhe formimin e ndërgjegjeve demokratike.

Në Luginë të Preshevës, mediat kanë pasur në të kaluarën një fat të hidhur, atyre u ka munguar liria e shprehjes dhe financimi. Më vonë me formimin e pushteteve të multietnike dhe monitorimin e OSBE-së, mediet shqiptare filluan të avancohen në shërbim të informimit të qytetarëve.

Mirëpo, me privatizimin e mediave në Serbi, mjetet e informimit shqip, përballen me probleme të shumta të natyrës politike dhe financiare.

Ndodh nga njëherë që mediumet kinse të pavarura ta kritikojnë pushtetin se nuk sillet mirë ndaj medieve dhe se nuk i financon sa duhet përmes projekteve. Bile, kohëve të fundit edhe akuzohen krerët e pushteteve kinse për kërcënime dhe mospërfillje dhe të njëjtën kohë harrojnë këto mediume se edhe te ta është një Kod, që njihet si Kodi i etikës gazetareske.

 

Kodi etik

Gazetarët duhet t’i përmbahen Kodit Etik, ashtu si duhet t’i përmbahen pushtetarët Kodit të mirësjelljes dhe mjekët Betimit të Hipokratit. Po qe se të gjithë këto institucione t’i përmbahen këtyre rregullave të shkruara, me siguri se do të kemi më pak problem në fushën e veprimtarive me interes shoqëror dhe kombëtar.

Kuvendet dhe Këshillat komunale i kanë rregulloret e tyre dhe ato me pëlqimin e këshilltarëve dhe votimin e tyre, mund t’i mbajnë seancat publike ose me dyer të mbyllura.

Mediumet pjesëmarrëse në këto seanca e bëjnë punën e vet në harmoni me kodeksin e tyre, mirëpo shpesh ka mediume të manipuluara ose të shantazhuara nga partitë opozitare ose qarqet shtetërore a bizneset private, të krijojnë konfuzitet dhe t’i provokojnë këshilltarët e zgjedhur nga populli. Në këto situata, nuk është e çuditshme që drejtuesit e pushteteve lokale shpesh të bien në kundërshtim me sjelljet e atyre gazetarëve tentencioz, të cilët janë të prirur për qëllime të caktuara, të sjellin mesazhe të këqija për punën e institucioneve tona.

 

Misioni

Në rajonin e Luginës së Preshevës kemi me dhjetëra mediume elektronike, portale informative dhe gazeta. Po sikur të gjitha këto vijnë me qëllime të caktuara, jo për ta kryer misionin e tyre informativ në interes të qytetarëve, por për të përhapur dezinformata, amulli dhe konfuzitet, atëherë nuk është aspak çudi, që raportet pushtet dhe media, të mos jenë në një vijë.

Shoqëria jonë është e vetëdijshme se pushteti dhe mediet duhet të bashkëpunojnë në mënyrë korrekte dhe secila ta zhvilloj veprimtarinë e vet në suaza të profesionalizmit. Vetëm në këtë mënyrë shoqëria jonë do të eci përpara, në rrugën e proceseve demokratike evropiane. Tjetër alternativë nuk ka! /perspektiva/