Ballina Aktuale Edhe një doktor shkence nga Tërnoci…

Edhe një doktor shkence nga Tërnoci…

SHPËRNDAJE

Vargut të doktorëve të shkencës nga Lugina e Preshevës, iu shtua edhe Mead Osmani nga Tërnoci, i cili, këto ditë, në Bursa të Turqisë, me sukses mbron temën e doktoraturës me temë: “Sanxhaku i Nishit sipas dokumenteve osmane në periudhën 1839-1878”.

Meqenëse, familja e Mead Osmani, është me origjinë nga Sanxhaku i Nishit, dëshira e tij si student në Universitetin e Uludag (Uludag Universitesi) të Turqisë, ka qenë të hulumtoj dhe gjurmoj rrënjët prej nga ka ardhur në Tërnoc, duke e kurorëzuar rrugëtimin e tij shkencor me një temë shumë të rëndësishme dhe me interes për fatin e një krahine, që dikur fliste dhe frymonte shqip.

Dr. Mead Osmani nga Tërnoci, gjatë studimeve të tij në Bursa të Turqisë, nuk e pat vështirë të ketë qasje në arkivat e shtetit turk që lidhen me Perandorinë Osmane dhe dokumentet arkivore që hedhin dritë në një të kaluar të sanxhaklinjve të Nishit para 140 vitesh.

Në këtë drejtim dr. Meadi, siguroi material të bollshëm arkivor për temën e disertacionit të doktoraturës, duke pohuar se në këtë drejtim ka me mijëra dokumente që lidhe me fatin e Sanxhakut dhe sanxhaklinjve të Nishit, me rëndësi dhe peshë të madhe për historiografinë shqiptare.

Vlen të ceket se, dr. Mead Osmani,shkollën fillore e ka mbaruar në Tërnoc, të mesmen në Medresenë “Alauddin” në Gjilan, ndërsa studimet themelore i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filologjik, Dega Orientalistikës.

Ndërkaq, studimet në Master i ka vazhduar në Bursa të Turqisë, pranë Universitetit “Uludağ”, aty ku edhe doktoroi në shkencat sociale për historinë e Perandorisë Osmane, me temën: “Sanxhaku i Nishit sipas dokumenteve osmane në periudhën 1839-1878”.

Portali Jetapress, i dëshiron doktorit të ri të shkencave Mead Osmani, suksese në vazhdimin e kërkimeve shkencore, të cilat për ne paraqesin një kontribut të rëndësishëm, një gurë të çmueshëm në kalanë e historiografisë shqiptare. ‘jetapress/