Ballina Lajme PRESIDENTI THAÇI E DO LUGINËN TË BASHKUAR ME KOSOVËN

PRESIDENTI THAÇI E DO LUGINËN TË BASHKUAR ME KOSOVËN

SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë të shkurtër për KosovaPress ka sqaruar edhe një herë idenë për korrigjimin e kufijve, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 

Thaçi ka theksuar se korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje dhe as shkëmbim të territoreve.

Ai në këtë intervistë, insiston se Kosova duhet të adresojë kërkesën e Luginës së Preshevës në dialogun me Serbinë.

Presidenti Thaçi pranon se ka dallime ndërmjet liderëve të Shqipërisë dhe Kosovës sa i takon dialogut, por “Korrigjimi i kufijve nuk është term i shpikur nga unë, por shumë shtete në botë e kanë përdorur si mjet për të tejkaluar hasmëritë, për të zgjidhur problemet, për të krijuar paqe afatgjate. Këto ditë e kam përsëritur shpesh: korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje, nuk nënkupton shkëmbim të territorit. Po e them edhe ndryshe, korrigjimi i kufijve nuk do të sjellë ndarje të Kosovës. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë. Gjatë gjithë këtyre vjetëve që kur jemi në dialog, institucionet e Kosovës janë kritikuar pse çështja e Luginës së Preshevës nuk po diskutohet në dialogun me Serbinë. Tash të njëjtit njerëz kërkojnë që t’i mbyllim sytë përballë kërkesës legjitime të tyre për t’ju bashkangjitur Kosovës. Prandaj, kërkesa e jonë është që Kosovës t’i kthehet Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, meqë Serbia nuk ka arritur që t’ju garantojë atyre të drejta, të cilat Kosova iu garantohen serbëve në Kosovë”, thotë midis tjersh Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për KosovaPress, transmeton Jetapress.