Ballina Aktuale PROMOVOHET LIBRI ME OPINIONE PËR LUGINËN E PRESHEVËS

PROMOVOHET LIBRI ME OPINIONE PËR LUGINËN E PRESHEVËS

SHPËRNDAJE

Një libër që pasqyron realitetin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ndërmjet presionit, migrimit e integrimit, është promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Libri me opinione të Nexhmedin Saqipit u vlerësua lart nga kritikët letrarë.

Dashamirës të fjalës së shkruar, jo vetëm nga Lugina e Preshevës, ishin në promovimin e librit të publicistit Nexhmedin Saqipi “Një Libër me Opinione për Luginën e Preshevës “.

Sali Bashota, redaktori i librit tha se në libër mund të gjeni tri parime fundamentale, ku autori flet për të drejtën shekullore, të cilat janë e drejta, e vërteta dhe liria përbërëse esenciale.

“Ky libër ka shumë porosi, ka shumë tema të cilat e kanë preokupuar në rrethana të zakonshme dhe të jashtëzakonshme, shumë kujtime dhe përjetime janë të përjetuara edhe nga vet autori”, tha Bashota.

Sevdail Hyseni, recensent i librit tha se libri freskon kujtesën për të gjitha ndodhitë në Luginën e Preshevës.

“S`ka se si mos të na kujtohen gjithë ato zhvillime, ngjarje, bëma, nëpër të cilat ka kaluar vendlindja e autorit e cila sipas tij nuk ka qenë vetëm luginë e luleve dhe gëzimeve por edhe e dhembjeve, trishtimeve, nëpër të cilat kaloi vertikalisht, me kokën lartë, pa u përkulur dhe ligështuar asnjëherë”, tha Hyseni.

Autori i librit shprehi mirënjohje për të pranishmit dhe kontribuuesit për botimin e librit.

“Ne jemi mundu me prezentu çka mendojnë populli i Luginës, me çka ata ballafaqohen, çfarë e brenë popullin e Luginës, jam mundu mos me i dhënë ngjyrë politike por me e prezentu gjendjen reale”, tha autori i librit, Nexhmedin Saqipi.

Gjendja pezull, jeta e rëndë e përcjellë me migrim dhe manipulimet e ndryshme politike janë shkaqet të cilat shqetësojnë banorët e Luginës, të cilët nuk do të ndalen me kërkesa legjitime, u tha me rastin e promovimit të librit./RTKlive/