Home Aktuale Korrigjimin e kufijve, nuk duhet kuptuar si trishtim

Korrigjimin e kufijve, nuk duhet kuptuar si trishtim

32
SHARE

Nga Nexhmedin Saqipi

 

Në vend të opinionit

 

Opsioni shumë i përfolur rreth korrigjimit të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë, është keqkuptuar për motive politike, duke u vlerësuar nga qarqe të ndryshme, si një propozim, i cili prodhon tensione deri në konflikte, jo të favorshme midis shqiptarëve dhe serbëve, të cilët janë të shtrënguar si fqinj, të jetojnë pranë njëri tjetrit.

Fati historik dhe politik e deshi, që ky korrigjim kufijsh, i cili për momentin nuk ka opsion më të qëlluar e as zëvendësim, në këtë drejtim, të marrë ngjyrën jeshile në procesin e finalizimit të negociatave të Brukselit.

Ka disa zërat politikë, që vijnë nga Prishtina, Beogradi dhe qendra të tjera ndërkombëtare rreth këtij korrigjimi të kufijve, që më shumë mbjellin huti, defetizëm dhe skepticizëm, se sa kontribuojnë për zgjidhjen e problemeve artificiale të krijuara në zonat kufitare.

Këta kufij, që janë sot, në mes Kosovës dhe Serbisë, janë problematikë dhe kërkojnë zgjidhje me mjete politike, dialog dhe marrëveshje të qëndrueshme, të cilët më shumë se në çdo opsion tjetër e gjejnë veten te korrigjimi i tyre historik dhe politik.

Korrigjimi i kufijve, po qe se bëhet në vija etnike, përsëri do të kemi avazin e vjetër të kufijve klasikë, pa ndonjë perspektivë në integrimin e banorëve të zonave kufitare, që shtrihen thellë nga jugu në Serbi dhe nga veriu në Kosovë.

Këta kufij ashtu siç janë tani, nuk garantojnë paqe e stabilitet, ato duhet të relaksohen, të liberalizohen dhe të kthehen nga kufijtë e dikurshëm klasikë, në kufij bashkëpunimi, duke reflektuar pozitivitet e jo bllokada, barriera, kërcënime dhe dhunë.

Merrni si shembull kufijtë evropianë, të cilët nuk vuajnë nga këto probleme, që kanë kufijtë ndërshtetëror në mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat në vend se të ofrojnë zona të lira tregtare, ato pengohen me taksa e shantazhe të tjera politike.

Po qe se ndodh korrigjimi i kufijve, i cili është i pashmangshëm dhe ai do të ndodh një ditë, mos sot nesër, gjithsesi, banorët e zonave kufitare, qofshin ata shqiptarë, serbë dhe të tjerë, do të lirohen nga presionet politike të qendrave të mëdha, për të jetuar si njerëz normalë, krejt në frymën e bashkëpunimit, mirëkuptimit, tolerancës dhe fqinjësisë së mirë.

Thjesht, korrigjimin e kufijve, nuk duhet kuptuar si trishtim, në mes banorëve këndej e matanë kufirit, por si një relaksim për një jetë më të mirë dhe me dinjitet. Mjaft, këta kufij, kanë prodhuar pengesa të natyrave të ndryshme politike dhe ekonomike, ka ardhur koha, që ato të korrigjohen njëherë e përgjithmonë konform integrimeve evropiane.

Lugina e Preshevës, është rajon i një rëndësie të veçantë gjeopolitike dhe gjeostrategjike, për shkak Korridorit të 10-të, hekurudhës dhe Lumit të Moravës, si një trekëndësh magjik që paraqet, ajo natyrshëm i lidh tri republika: Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë me shumë kontinente. Prandaj, duhet dhënë maksimumin që Lugina e Preshevës, të jetë një shembull i bashkëpunimit kufitar e jo një oazë, që prodhon ngërçe politike dhe kolapse ekonomike. Sa më shpejt aq më mirë!