Ballina Lajme Nga Rajoni U nda nga jeta Prof. dr. Dali Emërllahu, doktor i shkencave të...

U nda nga jeta Prof. dr. Dali Emërllahu, doktor i shkencave të pedagogjisë

SHPËRNDAJE

In memoriam

Shkruan: Prof. dr. Bahtijar Kryeziu

Më 8 prill vdiq, në moshën 81 vjeçare dhe u varros në varrezat e Prishtinës njëri ndër pishtarët e arsimit shqip në Kosovë, pedagogu i shquar dhe profesori shumëvjeçar universitar, prof.dr. Dali Emërllahu.
Profesor Daliu ishte njëri ndër intelektualët e parë të Malësisë së Bujanocit dhe doktori i parë i kësaj ane.
Lindi më 2 shtator 1938 në Breznicë të Bujanocit, ku edhe mori mësimet e para. Gjimnazin e ulët e kreu në Muçivërc të Dardanës (ish-Kamenicës), Shkollën Normale e mbaroi në Prishtinë (1957), ndërkaq Fakultetin Filozofik – Dega e Pedagogjisë e kreu në Shkup (1963). Pas kryerjes së studimeve, një vit shkollor punoi profesor i lëndëve pedagogjike në Shkollën normale “Zenel Hajdini” të Ferizajt e pastaj, pas shërbimit ushtarak (1964-‘65), tri vjet punoi profesor në Shkollën Normale të Prishtinës. Që në vitin shkollor 1968/’69 u zgjodh ligjërues në marrëdhënie të rregullt pune në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës për lëndët mësimore: Pedagogji dhe Metodikë e edukatës politeknike. Në vitin 1974 u përparua në titullin e profesorit të shkollës së lartë pedagogjike për lëndët e përmendura.
Me hapjen e Fakultetit (Akademisë) të Arteve në UP, në vitin akademik 1974//75, u angazhua mësimdhënës edhe në këtë fakultet për lëndën Pedagogji, të cilën lëndë, përveç një pushimi të shkurtër gjatë përgatitjes së doktoratës, e ligjëroi në vazhdimësi. Gjithashtu, me themelimin e akademive pedagogjike në Prizren dhe në Gjilan, lëgjiroi lëndën e Metodikës së edukatës politeknike.
Pas miratimit të tezës së doktoratës në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, më 1977, me titull: “Sendërtimet dhe perspektiva e edukatës dhe e arsimit punues e politeknik” (“Ostvarivanja i perspektive radnog i politekničkog vaspitanja i obrazovanja”, atë e mbrojti me sukses në tetor të vitit 1983.
Në konkursin e shpallur të Fakultetit të Kulturës Fizike të UP-së, më 1987, u zgjodh docentit (bashkëpunëtor i jashtëm) për lëndën e Pedagogjisë dhe në saje të konkursit të shpallur, më 1995, përparohet në titullin e profesorit inordinar (në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm) për lëndën e cekur.
Me hapjen e Fakultetit të Mësuesisë në Universitetin e Prishtinës, u zgjodh, përkatësisht u rizgjodh profesor inordinar (bashkëpunëtor i këtij fakulteti) për lëndët mësimore: Pedagogji e përgjithshme I dhe II, kurse që nga 1.10.1998 krijoi marrëdhënie të rregullt pune në këtë fakultet, ku ushtroi punën e profesorit deri në mbylljsen e atij fakulteti.
Prof. dr. Dali Emërllahu, përveç punës në procesin edukativo-arsimor me studentë, ushtroi edhe detyra të tjera të rëndësishme shoqërore e profesionale, ndër të cilat ishte edhe zëvendësdrejtor i SHLP-së në Prishtinë (1973-1975); shef i Degës së Politeknikës (1975-1977; 1983-1987; 1993-1995); zëvendësrektor i Univeristetit të Prishtinës (1989-1991); kryetar i Këshillit koordinues për mëvetësimin e Universitetit të Prishtinës (1991); zëvendësrektor i Universitetit (të mëvetësishëm me mësim në gjuhën shqipe) të Prishtinës (1991-1992); anëtar i Komisionit për reformimin e planeve e programeve mësimore në UP, prej vitit 1994; pastaj kryetar i Këshillit botues të revistës “Shkëndija” në Prishtinë; kryetar i Këshillit botues të revistës “BAT”; redaktor (në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm) për tekstet mësimore në lëmin e edukatës punuese në ETMM të Kosovës; bashkëpunëtor profesional për shumë emisione edukativo-arsimore të Radio Prishtinës dhe TV Prishtinës etj.
Profesor Emërllahu, krahas të gjitha këtyre zotimeve, si preokupim të përhershëm kishte punën profesionale – shkencore, si në botimin e mbi 200 njësive bibliografike (te “Shkëndija”, “Fjala”, “Bota e re”, “Përparimi”, “Dituria”, “Libri shkollor”, “Rilindja”, “Jedinstvo”, “Pedagogu” i Prishtinës, në “Përmbledhje punimesh” të SHLP-së të Prishtinës, të SHLP-së “Skënderbeu” të Gjilanit, në revistën “Acta kineziologica” të Fakultetit të Kulturës Fizike të UP-së etj.), ashtu edhe në botimin e disa teksteve universitare, në pjesëmarrjen me kumtesa në shumë këshillime e simpoziume shkencore të karakterit edhe ndërkombëtar, në përkthimin (nga serbokroatishtja ose edhe kroatoserbishtja) e disa veprave profesionale, në vlerësimin e disa teksteve shkollore e universitare etj.(Nga një punim më i zgjeruar)/Jetapress/