Ballina Aktuale ‘Le të rindërtojmë një aleancë të fortë BE-SHBA’, i thonë shefat e...

‘Le të rindërtojmë një aleancë të fortë BE-SHBA’, i thonë shefat e BE-së, presidentit të zgjedhur Joe Biden

SHPËRNDAJE

Shefat e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, lajmëruan “një fillim të ri” të marrëdhënieve BE-SHBA të hënën gjatë bisedave telefonike me presidentin e zgjedhur Joe Biden.

Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, Von der Leyen, Presidentja e Komisionit, tha se ajo e përgëzoi Biden për fitoren e tij gjatë telefonatës së tyre.

“Është një fillim i ri për partneritetin global BE-SHBA”, shkroi ajo në Twitter, duke shtuar se një “BE e fortë dhe një SHBA e fortë që punojnë së bashku mund të formojnë axhendën globale bazuar në bashkëpunimin, multilateralizmin, solidaritetin dhe vlerat e përbashkëta”.

Ndërsa Charles Michel, i cili kryeson Këshillin e BE-së, tha se ai ftoi Presidentin e 46-të të SHBA-së së shpejti “në një takim të posaçëm në Bruksel vitin e ardhshëm” me kreun e shteteve të bllokut.

“Le të rindërtojmë një aleancë të fortë BE-SHBA”, shtoi ai. “Tani është koha për të bashkuar forcat në luftën ndaj COVID-19, për klimën, sigurinë dhe multilateralizmin”.

Telefonatat u zhvilluan ndërsa Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme të SHBA-së njohu Biden si “presidentin e zgjedhur” – 21 ditë pas zgjedhjeve – duke vënë kështu në lëvizje tranzicionin.

Ndryshe, në fillim të këtij muaji, Biden ka biseduar me disa udhëheqës të BE-së duke përfshirë atë francez, Emmanuel Macron, si dhe kancelaren gjermane Angela Merkel.

Të dy thanë se kishin në plan të punonin në “përparësitë e përbashkëta” dhe “sfidat globale” me administratën e re duke përfshirë ndryshimin e klimës.

Tensionet midis Brukselit dhe Uashingtonit u rritën nën administrimin e Donald Trump, i cili nxori vendin e tij nga Marrëveshja e Parisit 2015 për Klimën dhe marrëveshjen e shënuar bërthamore të Iranit.

Ai gjithashtu tha që SHBA po “dëmtohej” nga BE dhe vendosi tarifa mbi eksportet evropiane. /Telegrafi/