Duke rikujtuar se kultura, arti dhe sporti janë vlera të përbashkëta të kombit, Erdogani theksoi se njerëzit e kulturës, artit dhe sportit janë rrjedhimisht persona që përfaqësojnë tërë kombin me veprat dhe sukseset e tyre.
Prandaj – vijoi ai – ne jemi përpjekur gjithnjë që t’i mbajmë artistët dhe sportistët në pëllëmbë të dorës, të ngremë sa më lartë reputacionin dhe të zgjerojmë mundësitë e tyre.
Sipas kreut të shtetit turk, në këtë drejtim, qeveria ka 50-fishuar mbështetjen shtetërore për aktivitetet kulturore dhe mbi 40-fishuar subvencionet për sektorin e kinematografisë në krahasim me vitin 2002.
Pasi theksoi se ndërtesa e operës me standardet më moderne të Turqisë është Qendra e Kongreseve dhe Kulturës së Presidencës, Erdogani rikujtoi se edhe në Taksim po ndërtojnë një qendër opere dhe kulture të denjë për madhështinë dhe famën e Stambollit.
“Me përjashtim të ndonjë situate të jashtëzakonshme, me lejen e Allahut ne do të kemi ndërtesën e operës së Taksimit në vitin 2021, atë që dikur quhej Qendra Kulturore Ataturk”, u shpreh presidenti turk.
Sa u përket sportistëve, Erdogani nënvizoi se edhe për ta kanë realizuar mbështetje dhe shërbime infrastrukturore tepër të rëndësishme.
“Në aspektin e numrit të komplekseve sportive, Turqia është ngjitur sot në një nivel për t’u krenuar. Kurse numri i sportistëve të licencuar ka arritur në 9 milionë, nga vetëm 280 mijë që ka qenë më parë”, tha Presidenti Erdogan./trt.net/