Ballina Aktuale Zgjedhjet preshevare në prag, me lepurin në bark!

Zgjedhjet preshevare në prag, me lepurin në bark!

SHPËRNDAJE

Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri te përmbyllja e fushatës parazgjedhore për pushtet lokal në Preshevë, i cili do të mbahet, në vikendin e kësaj jave, më 24 dhjetor.

Po afrohen ditët e tubimeve qendrore, të Listave zgjedhore, të cilat pastaj duhet ta respektojnë heshtjen para procesit të votimit.

Po bëhen gati një muaj tubime elektorale, debate televizive, spote televizive e materiale të tjera të kampanjës zgjedhore, të cilat kishin një çmim, kostoja e të cilave kapërcente lartësinë e miliona dinarësh të harxhuar për këtë destinacion.

Publicisët e analistët politikë, zgjedhjet e parakohshme lokale të Preshevës, i vlerësuan të panevojshme, ngase zgjedhjet e rregullta, nuk kishin kaluar më shumë se një vit e gjysmë dhe se një komunë e tillë me një ekonomi të shkatërruar, nuk e kishte luksin të shpenzonte para për diçka, që më shumë sjell telashe se sa stabilitet politik dhe ekonomik.

Sa do që të duken normale zgjedhjet e jashtëzakonshme në rrethanat çfarë ndodhet Presheva, ato më shumë i sjellin kokëqarje qeverisjes lokale e më shumë i kushtojnë dëm elektoratit të saj, i cili nga zgjedhjet pret rezultate pozitive.

Se sa janë duke sjell siklet këto zgjedhje të parakohshme në skenën politike preshevare, flasin proceset parazgjedhore, të cilat nuk kanë reflektuar kulturë ashtu siç e kanë vendet e tjera me demokraci të përparuar.

Po mbushet gati një muaj fushatë parazgjedhore, të mbarsur me akuza të ndërsjella mes liderëve politikë, të cilat nuk kursyen as kodin dhe etikën zgjedhore, duke shpifur, njollosur dhe degraduar deri në ekstremitet njëri – tjetrin, sikur të ishin kundërshtarë klasikë e jo rival politikë.

Lufta për pushtet në Preshevë, sado që ka pasur edhe më herët një përvojë të hidhur, si kjo e fundit, nuk mbahet mend. Në garën e pakompromis mes garuesve të Listave zgjedhore, të cilat nuk janë pak, janë hapur dosjet 25 vjeçare te jetës politike në Preshevë.

Hapja e këtyre dosjeve me dokumente të bëra publike në mediumet lokale dhe rajonale për kinse keqmenaxhim të qeverisjes lokale, falsifikim të dokumenteve zyrtare, manipulim me tenderë e afera të tjera korruptive, nepotizëm dhe abuzim me paranë publike, kanë quar peshë Preshevën.

Këto skenare të orkestruara mirë kanë ardhur nga parti e individë të caktuar mercenarë të Beogradit, të cilët pas përfundimit të zgjedhjeve, Preshevën, do t’i nxjerrin sfida të reja, jo vetëm në formimin e koalicioneve parimore, por edhe në nxitjen e proceseve gjyqësore, nëpër dyert e të cilave, do të kalojnë shumë funksionerë të dikurshëm dhe të tashëm.

Meqë nga Komuna e Preshevës, ka vite që është zhvendosur Gjykata Themelore në Vranjë, llogaritni sa do të jenë shpenzimet për të shkuar dhe ardhur 80 km, nëpër seancat gjyqësore të ngritura nga prokurorët gjyqësore e të motivuara nga disa liderë politikë, të cilët dëshirojnë ndryshime kinse në emër të një alternative tjetër çfarë e kanë pasur shqiptarët deri tani në Preshevë.

Por, jo vetëm kaq!

Hasmëritë, inatet e shantazhet e theksuar, në këto zgjedhjet e fundit të panevojshme për pushtet lokal në Preshevë, do të kenë pasoja të paparashikueshme edhe pas përfundimit të tyre.

Asnjë nga Listat zgjedhore, nuk do të jetë në gjendje vetë ta formoj qeverisjen lokale, pa u kurorëzuar me ndonjë parti tjetër, i të njëjtit kalibër, e për t’i bërë tri parti bashkë në Preshevë, është më vështirë se sa t’i futësh me një grusht tri miza.

Duke i pasur parasysh të gjitha këto dukuri negative, nuk është e vështirë të nxirret një përfundim se Preshevën, në vitin 2018, do ta pres një dimër i egër, një verë e nxehtë dhe një pushtet pa dinjitet/jetapress/