Ballina Aktuale Kontrabanda me mandate të këshilltarëve komunalë

Kontrabanda me mandate të këshilltarëve komunalë

SHPËRNDAJE

Nga Tërnoci Press

Pushtetet lokale në rajonin e Luginës së Preshevës, kohëve të fundit, janë përfshirë nga një dukuri e rrezikshme e kontrabandës me mandate këshilltarësh, të cilat po reflektojnë jostabilitet, mosefikasit dhe bllokim të ecurisë së punës në Kuvendet Komunale.

Në këtë drejtim Presheva, është më e goditur dhe më e prekur nga shit-blerja e mandateve të këshilltarëve, qoftë nga pozita, qoftë nga opozita, duke bllokuar punën e legjislativit të vendit dhe duke çuar jo rrallë qeverisjen lokale para masave të dhunshme dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Politika shqiptare në Luginë të Preshevës, është shumë e dhënë pas këtij biznesi në fushën e konvertimit të këshilltarëve nga një parti në tjetrën për të krijuar situata jo të këndshme, si për qeverisjen e vendit, por edhe për vetë qytetarët e këtij rajoni, që janë humbësit më të mëdhenj nga këto lëvizje.

Këshilltarët, të cilët këto mandate i kanë fituar nga votëbesimi i elektoratit nga radhët e partive, shkelin mbi vullnetin elektoral, për përfitime material dhe karrieriste, për të dëmtuar punën normale të asambleve komunale dhe për të krijuar një shumicë në favor të një subjekti tjetër.

Me këto veprime këta këshilltarë, të cilët bien ndesh me betimin e këshilltarit, bontonin dhe etikën e përfaqësuesit legjitim në parlamentin lokal, së pari i bëjnë dëm karakterit të tyre, së dyti humbin seriozitetin e qëndrimit të tyre si njeri dhe si politikanë dhe së treti fati i tyre politik pas përfundimit të mandatit do t’u kushtoj humbje të besimit.

Nuk është e drejtë të thuhet po e braktisi mandatin e këshilltarit të një partie për të kaluar si i pavarur për të mbështetur një parti tjetër dhe për të krijuar vatra krize në organin më të lartë legjslativ të vendit, veprim ky i pamatur politik dhe i dëmshëm shoqëror.

Dikur me mandatet e këshilltarëve,  dispononin partitë politike dhe grupimet e qytetarëve, mirëpo më vonë kinse me ligj u rregulluan këto çështje të lëvizjes së këshilltarëve nga një subjekt politik në tjetrin, ose të pavarur.

Politikës qendrore të Beogradit, këto dukuri i shkojnë për shtati, nga se nga këto veprime zbehen kërkesat e shqiptarëve për më shumë të drejta politike, ekonomike e sociale.

Në vend se pushtete lokale në Luginë ët Preshevës, me mandate katërvjeçarë ta kryejnë misionin e tyre, ato përballen me këso veprime, duke prishur kuvendet lokale dhe duke shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, çka nuk janë ne luksin e këtyre komunave të varfra në Serbi.

Spektri politik i Luginës së Preshevës, në vend që të jetë unik në qëndrime, mendime dhe veprime  rreth finalizimit të bisedimeve shqiptaro-serbe në Bruksel, ata grinden rreth mandateve të këshilltarëve komunalë, luftojnë për dominon në pushtete lokale, duke harxhuar energji për gjëra të cilat i rregullon dhe financon pushteti qendror i Beogradit, sipas formulës përçaj e sundo!